Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kryeministri për krizën e refugjatëve: Vendi ynë s’është heroi shpëtimtar i Europës

Kryeministri për krizën e refugjatëve: Vendi ynë s’është heroi shpëtimtar i Europës
April 14
23:11 2016

Një çështje që vijon të përflitet është kriza e refugjatëve dhe roli i Shqipërisë në të. I pyetur nga gazetari Sokol Balla lidhur me qëndrimin e Qeverisë Shqiptare në këtë krizë që ka përfshirë Ballkanin dhe më gjerë, kryeministri Rama përsëriti qëndrimin tashmë të ditur.

“Unë e kam thënë, shteti shqiptar nuk mund të  bëjë heroin shpëtimtar të Europës. Ju siguroj se ky qëndrim i yni nuk cenon marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Ka një respekt të plotë për Shqipërinë si në Berlin, edhe në Bruksel, lidhur me këtë qasje. Ne nuk mund të themi “hajdeni te ne” ndërkohë që të tjerët ngrenë mure. Kemi qenë të gatshëm dhe vazhdojmë të jemi të tillë për të marrë përsipër përgjegjësitë tona, por bashkë me vendet e tjera”,- bëri me dije Rama.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vendin tonë ishte një tjetër çështje për të cilën u diskutua gjatë kësaj interviste.

“Korrupsioni është fjalë kyçe në të gjitha raportet. Lidhet ngushtësisht me modernizimin që ende nuk ka përfunduar. Nuk mund të themi që korrupsioni është një problem vetëm i yni, i vënë në dukje veç në kapitullin e DASH-it për Shqipërinë, pasi ai është ende një problem edhe në disa vende të tjera të BE-së. Mendoj se e rëndësishme është të shohim se si Shqipëria po hedh hapat bazë dhe nëse po punon ajo për të luftuar korrupsionin. Ju siguroj se kemi më pak prani të korrupsionit në vend, por sigurisht që mbetet shumë për t’u bërë. Ne po e rilindim vendin dhe ky është një proces që kërkon marrje masash dhe kohë”, – u shpreh kreu i kabinetit qeverisës.

Marrëdhënia e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht ajo e kryeministrit Rama me presidentin Obama, ishte një çështje që u vu në dukje që në fillim të kësaj interviste zhvilluar në Uashington. Kryeministri zgjodhi të tregohej disi i rezervuar kundrejt pyetjeve të gazetarit Balla lidhur me takimin e tij me Obamën në zyrën ovale, një takim që theu protokollin.

“Nuk është e vërtetë që politika amerikane vlerëson pa kushte partnerët e saj, përkundrazi. Mos mendojmë se Shtëpia e Bardhë është fushëkalim paradash protokollare, pasi aty përballesh me kohë të kufizuar dhe axhendë të ngjeshur takimesh. Megjithatë, sigurisht që të jesh aty do të thotë shumë”,- u shpreh ndër të tjera Rama.

I pyetur lidhur me investimin amerikan për promovimin e figurës së Ramës dhe homologut serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri u shpreh se vizita e tij në Uashington është një provë për shqiptarët dhe, sigurisht, vlerësohen shumë marrëdhëniet me ta.

“Ballkani është një histori suksesi dhe unë kam kontributin modest, Vuçiç po ashtu. SHBA-të kanë kontributin e padiskutueshëm. Ajo që mund të thuhet është që dëgjuam dhe në takimin me shefin e Bankës Botërore, i cili iu referua një bisede me kancelaren Merkel, që kishte folur me superlativa për Shqipërinë. Po ashtu dhe me kryeministrin e Izraelit dhe Mbretin e Jordanisë, të cilët mbështesin integrimin e Shqipërisë dhe Ballkanit duke e konsideruar shembull”, – tha Rama.

Etiketimet
Shperndaje