Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kongresi i PS-së, video-mesazhe për delegatët. Blair: Shqipëria, vendi ku ndihem optimist

Kongresi i PS-së, video-mesazhe për delegatët. Blair: Shqipëria, vendi ku ndihem optimist
March 19
11:59 2016

Me nisjen e punimeve të Kongresit të PS-së, zyrtarë të huaj kanë përcjellë mesazhet e tyre.

Socialistët zhvillojnë sot Kongresin e tyre zgjedhor, ku pritet të zgjidhen 175 anëtarët e rinj të Asamblesë Kombëtare. Në fjalën e tij, presidenti i PSE-së, Sergei Stanishev, e cilësoi Kongresin e PS-së si moment të së vërtetës. Duke vlerësuar reformat e ndërmarra, ai theksoi se prova më e madhe për çdo parti është pushteti.

“Ju hoqët dorë nga shumë qasje të së kaluarës duke vendosur institucione moderne për Shqipërinë. Besoj se ky vit është me rëndësi për reformat dhe sistemin gjyqësor. Ky vit është një fillim i vërtetë për negociatat për anëtarësim në BE. Familja socialiste në Europë gjithmonë ka këmbëngulur se duhet të vazhdojmë procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor. Kjo është një politikë e bindshme e social-demokracisë europiane. Vitin e kaluar një fitore bindëse, sot slogani i Kongresit është diçka që lidhet me të ardhmen: ‘Të punosh për brezat e ardhshëm të Shqipërisë’. Në kongrese ka shumë debate dhe jemi kritikë me veten, por e rëndësishme është të kujtojmë se kemi punë për të bërë”, – tha ndër të tjera Stanishev.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schultz, përshëndeti punimet e Kongresit përmes një video-mesazhi. Ai tha që duhet treguar kujdes me qëllim që të mos pengohet stabiliteti në rajon. “Kur isha në Shqipëri pashë me sytë e mi arritjet mbresëlënëse, por mos harroni se reformat janë ende për t’u bërë. Keni mbështetjen e BE-së. Lavdëroj punën e Edi Ramës”, – u shpreh ai.

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, vlerësoi punën e kryeministrit Rama, duke thënë se ai është një shtysë e mirëfilltë e optimizmit që Blair gjen te Shqipëria.

“Do të zgjidhja Shqipërinë si një vend ku mund të ndihem optimist për të ardhmen. Shqipëria ka sfida të mëdha, por me politika të qarta dhe pragmatike, janë duke u zhvilluar dy gjëra të rëndësishme: e para, progresi hap pas hapi në të gjitha drejtimet; e dyta, në sajë të statusit të vendit kandidat, tani Shqipëria mund të shohë përpara për një të ardhme brenda familjes së madhe europiane. Ne duam të shohim Shqipërinë në BE. Është një vend i larmishëm sa i përket besimit fetar, pjesa më e madhe janë myslimanë por është një vend që krenohet me harmoninë dhe bashkëjetesën fetare”, – u shpreh Blair.

Komento
Shperndaje