Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kongresi i PS-së, Rama: Do të diskutojmë për mandatin e kryetarit, qeverisjen dhe reformat

Kongresi i PS-së, Rama: Do të diskutojmë për mandatin e kryetarit, qeverisjen dhe reformat
March 19
12:47 2016

Kreu i koalicionit qeverisës, pasi falënderoi ish-kryetarin e partisë dhe anëtarët e saj, bëri me dije se do të diskutohet edhe për mandatin e kryetarit të partisë, për qeverisjen e vendit, reformat e ndërmarra dhe ato që pritet të merren.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka marrë fjalën menjëherë pas mesazhit që përcolli aleati i tij në këtë qeverisje, Ilir Meta. Ai falënderoi disa ndër njerëzit më të rëndësishëm të PS-së, ku theksoi mirënjohjen ndaj ish-kreut të kësaj partie, Fatos Nanos, teksa tha: “Ajo që na ndau s’e bën Fatosin më pak të rëndësishëm”. Nuk munguan  falënderimet e tij për kreun e LSI-së, Ilir Meta, si dhe për Dritëro Agollin: “Falënderoj Dritëroin, meqë ishte i pamundur për të qenë këtu dhe për të na shpotitur me një gotë rakie po na ndjek nga ekrani. Një duartrokitje për të”.

Përveç falënderimeve, kreu i PS-së tha se edhe këtë herë u arrit që Kongresi të kthehej në një ngjarje tërheqëse.

“Ka një pakicë shumë të vogël, që nga ky Kongres pret të shohë se si do i bëhet halli statutit, mandatit tim që sot, këtu, sipas saj, jam i pazgjedhur. Do të diskutoj hapur për këtë në pjesën e tretë të Kongresit. Jo vetëm kaq, ka në këtë Kongres opinione të ndryshme edhe mbi gjëra të tjera me rëndësi apo me më pak rëndësi për përmirësimin e qeverisjes, ritmin e reformave”,- u shpreh Rama.

Më tej, kreu i kabinetit qeverisës theksoi se PS do e çojë vendin në drejtimin e duhur, ndërkohë që rruga e re për vendin është ende në ndërtim e sipër.

“Fitorja na dha mundësinë ta kthejmë vendin në drejtimin e duhur. Takimi ynë është reflektim për të nesërmen, jo për të fituar zgjedhje të reja, por për të fituar sfidën kolosale të gjeneratës tjetër”, – deklaroi më tej kryetari socialist.

 

Komento
Shperndaje