Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Ekskluzive) Zbulohet emri i partisë më të re të Ben Blushit

(Ekskluzive) Zbulohet emri i partisë më të re të Ben Blushit
October 28
14:48 2016

Edhe pse prej disa kohësh është bërë me dije se 2 ish-deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi e Mimoza Hafizi, do të krijojnë formacionin e tyre politik, ende ata nuk kanë prezantuar publikisht emrin e lëvizjes së tyre apo programin e saj.

Gjithashtu deri tani partia ende nuk është regjistruar zyrtarisht si subjekt politik në gjykatë.

Blitz.al ka mësuar nga burime tepër të afërta pranë tyre se partia do të prezantohet më 1 nëntor dhe do të quhet “LIBRA”, ndryshe nga shumë hipoteza të tjera të krijuara dhe hedhura në treg ditët e fundit, si “Lista” apo “Letra”.

Nuk bëhen me dije informacione të tjera lidhur me statutin që ajo do të ketë apo platformën politike me të cilën do të hyjë në zgjedhje, si dhe pozicionin politik si parti e majtë apo e qendrës.

Ajo që bëhet me dije jo zyrtarisht është fakti se të gjithë anëtarët e kësaj partie do të duhet të jenë me dëshmi të pastra penaliteti, pra të mos kenë dënime nga gjykatat.

Por duket qartazi nga emri që baza e saj niset nga fjala “Libër”, çka do të thotë se 2 nismëtarët e saj, Blushi e Hafizi, do ta orientojnë lëvizjen intelektualisht në bazë edhe të bagazhit të tyre personal intelektual. Pra libri, dija, arsimi do të jenë, mesa duket që në themel të emrit, prioritet i kësaj partie, pa harruar edhe ekonominë, së cilës z.Blushi i ka mëshuar shpesh si të shkatërruar nga “Rilindja”, referuar veçanërisht shtresave të ulëta dhe të mesme të popullsisë.

Në kritikat e tij në parlament apo në studiot televizive, Blushi ka hedhur akuza të forta edhe për sa i përket asaj që ai e quan kriminalizim të parlamentit nga politika, veçanërisht PS dhe kryeministri Rama.

Kujtojmë se deputeti Blushi po vijon takimet e tij në rrethe dhe Tiranë për zgjerimin e strukturave. Së fundmi takimet me qytetarët ai i publikon në faqen e tij në Facebook, ku aktualisht ndiqet nga mbi 34 mijë persona.

Ben Blushi u shkëput nga Partia Socialiste pas një periudhe të gjatë krize e ftohjeje me kryeministrin Rama, duke kritikuar vazhdimisht atë që ai e cilëson si “Rilindja” dhe jo më PS.

Mbetet për t’u parë në vijim dëmi që do t’u shkaktojë partive të mëdha kjo parti, si edhe nëse do të bashkëpunohet ose jo me ndonjë parti tjetër para ose pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017./Blitz.al/

Komento
Shperndaje