Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ç’a demokracie presim nga turma analfabete?

Ç’a demokracie presim nga turma analfabete?
June 29
14:55 2017

Gazetari i njohur Armir Shkurti pa publikuar një shkrim referuar situatës zgjedhore në vendin tonë sa i takon mënyrës së votimit dhe nivelin e qytetarëve që votojnë.

Shkurti ndër të tjera bën një paralelizëm me një shprehje të Berluskonit për Lindjen e Mesme, për të cilën thotë se s’mund të ketë demokraci sepse mungon arsimi dhe kultura.

 

Nga Armir Shkurti:

Para nja dy netësh, Silvio Berluskoni, ish-kryeministri i Italisë, i ftuar te “Porta a Porta” e Fevziut të Italisë, Bruno Vespa, bëri një deklaratë të pazakontë: “Lindja e Mesme nuk mund të ketë regjime demokratike”.

Dhe shpjegimi që bën Berluskoni është i thjeshtë: Aty nuk ka arsim dhe kulturë! Më tej Berluskoni shpjegoi se pse Gedafi ishte ai që mbante në paqe 105 tribu, në sherr të përjetshëm me njëri – tjetrin; se pse gjenerali Mubarak u zëvendësua me një tjetër gjeneral në Egjipt…

Po le të rrimë te koncepti i arsimit dhe kulturës në demokraci.

Secili nga ne, të paktën një herë në këto 27 vjet, kur është gjendur para një idioti ka menduar a ka thënë: votë kam unë, votë ka edhe ky! Ti ke studiuar vite e vite në universitet, ke lexuar më pas libra letërsie a shkence, ndjek politikën globale e shqiptare, studion politikanët dhe politikat dhe, në mëdyshjen a të votosh këtë radhë filanin apo fistekun, të del para njëri me sytë e kuq nga alkooli dhe mjekrën që shkëlqen nga dhjami i qofteve e ta dhjet:

“Un’ jom i djatht/majt’ o vlla! Ne kena 25 vjet që votojm’ për Salën/Edin. Ene i hu me na vu ata, ate votojm’ e s’e ndrrojm’ gjall n’bot”! Se pse është i majtë a i djathtë as di ta shpjegojë e as ia ka haberin. Mos bëjmë shaka pastaj ta pyesim se ç’është e majta dhe e djathta!

Ti ke një votë, ai, me farë e me fis, ka 20, 30, 50 vota! Ti ke shkollë, dije, kulturë, ai ka pordhë dhe fobi nga libri! A nuk është ky vendi ku nxënësin e 10 – s e tallte gjithë klasa duke e etiketuar si “peshkopi”?

Ky kontingjent, për fat të keq, na dhuron pastaj qeverisjen. Ca tremben, ca blihen me miell a të holla, ca ndjekin idiotësinë kongenitale, të tjerë habiten me përralla tepsish e fotografi, të tjerë, që besojnë se s’duhet shkolla për të qenë i zgjuar, filozofojnë mbi batutat e njërit e rrobat e tjetrit….

E nisa prej deklaratës së Silvio Berluskonit jo për gjë, por kur na vjen nga jashtë për ne është po aq e besueshme sa po ta kish zbritur Zoti nga qielli, si tabelat e Moisiut.

Ndërsa unë për vete dhe plot si unë besojmë se kur arsimi në Shqipëri të quhet “edukim”, kur skena të mos prodhojë shalë por art, kur votuesit të mos përplasen rrugëve ngaqë shohin Facebook-un në celular por të hapin librat në lulishte a në autobus, kur të mos flasin e qeshin me kufje në vesh, por të merren përditë me rritjen e fëmijëve dhe punët e tyre, mund të flitet për demokraci. Sot për sot…ta gëzojë Baftjari!

Shperndaje