Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Artan Fuga: Ëndrra ime për qeverinë

Artan Fuga: Ëndrra ime për qeverinë
December 13
16:53 2016

Filozofi Artan Fuga është tepër aktiv me reagime për qeverisjen e vendit dhe me ide të tij se si ajo mund të bëhet më e mirë.

Së fundmi ai ka shkruar se do të donte që të bëhej decentralizimi i ministrive përgjatë gjithë vendit, në mënyrë që çdo cep i Shqipërisë të fillonte të jetonte normalisht.

Ja ç’shkruan ai në statusin e tij të Facebook-ut:

“Unë kam ëndrrën që një ditë ministritë dhe drejtoritë e mëdha të administratës shtetërore të shpërndahen në të gjithë territorin.

Ta zëmë, drejtoria e OSSHE-së në Pukë ose Kukës, atje ku janë hidrocentralet.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Ersekë mbase jo, por në Korçë.

Përse Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave, që nuk ka pothuajse fare, të jetë në Durrës dhe atje të mos jetë edhe Ministria e Transporteve?

E bujqësisë mu në Lushnjë.

E kështu me radhë.

Aq është Shqipëria, sa një qytet i madh. Rrugë ka. Pastaj komunikimi virtual bën kërdinë kudo në botë, aq sa edhe korporata të mëdha planetare drejtohen virtualisht nga një qendër në të gjithë planetin.

Jo më një copë Shqipëri që për ta administruar nuk do veçse gjysmë mendjeje të saktë për ta kollandrisur dhe pak orë punë pasdite për ta bërë nuse.

Tirana do të shfryhej nga popullsia dhe qarkullimi.

Nëpunësit që duan rehatinë e Tiranës dhe nuk janë gati të shërbejnë kudo, në dreq të venë!

Rrogat e administratës qendrore do të harxhoheshin në periferi dhe kjo do ta lulëzonte atë.

Në krahina do të niste jeta kulturore dhe gjallëria, sepse tani atje vdes nga mërzia. Duken si burgje urbane.

Nëpunësit e lartë do të shihnin Shqipërinë nga dritarja e apartamenteve së paku, jo nga dritaret e avionëve!

Sa mirë, Mbrojtja në Krujë.
Kultura në Lezhë.
Arsimin ta hidhnin andej nga Elbasani.
Ekonominë në Shkodër. Mjaft e ka!
Financat në Berat! Poshtë kalasë!
Të Brendshmen në Peqin.
Të Jashtmen në Kombinat.

Kryeministria andej nga Brryli.
Gjykata Kushtetuese në Farkë.

Kësaj do t’i thosha decentralizim territori dhe do ta votoja me dy duar atë burrë ose grua që do të guxonte ta bënte”,- përfundon statusi i profesorit.

Komento
Shperndaje