Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

26 vjet e njëjta pyetje: A kemi demokraci?

26 vjet e njëjta pyetje: A kemi demokraci?
November 30
22:41 2016

Demokracia në Shqipëri dhe sistemi politik ka qenë tema e diskutimit në një panel intelektualësh tek emisioni “Tonight Ilva Tare” në Ora News.

Të ftuarit, Lutfi Dervishi, Alfred Lela, Jonila Godole e Neritan Sejamini, kanë analizuar në detaje situatën në të cilën ndodhet Shqipëria sot, politikën, liderët, votën e çështje të thekshme që lidhen me funksionimin e demokracisë në vendin tonë.
Secili prej të ftuarve ka bërë prognozën personale.

Ja disa prej frazave të tyre më pikante gjatë emisionit:

Lutfi Dervishi:
Kemi parti sulltanësh pa rregulla demokratike. Partitë kanë një numër 1 dhe një tufë sejmenësh nga pas që e ndjekin si në kohën e sulltanit.
Partitë janë kapur peng. Shqipëria ka sot parlamentin më të dobët që ka pasur ndonjëherë, për shkak të së cilit u bë edhe ligji i dekriminalizimit.
Kemi forcuar figurat në kurriz të institucioneve.
Kur një parti humbet zgjedhjet elita e saj jep dorëheqjen, kurse te ne ajo vijon qëndron edhe pasi ka qeverisur për një kohë të gjatë.
Media ka bërë hapa mbrapa, politika gjithashtu, interesa individësh janë parë mbi interesat e vendit.

Jonila Godole:
Duhet t’u bëjmë analizë partive. Shoqëria jonë nuk e kupton çfarë është partia politike dhe nuk interesohet për programin e saj, por vetëm për vendet e punës që ofron ajo parti.
Kemi pasur një revolucion të falur në vitet ’90 dhe jo të fituar nga shoqëria. Mosndryshimi i elitave ka sjellë këtë situatë ku jemi sot.
Kulti i individit bën që të shuhen zërat e rinj, sepse kulti i liderit është shumë i madh dhe zërat e tjerë nuk dëgjohen.
Dorëheqja shikohet si dobësi dhe vetë shoqëria e shikon si mungesë force, zbritje nga kali në raste të tilla. Që media të dalë nga bataku ku ndodhet, shpresa janë mediat e reja, mediat online janë shumë të rëndësishme.
Mediat janë bërë ndërmjetëse me politikën dhe jo me publikun, ndaj në këtë pikë mund të themi se kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për situatën sot.

Neritan Sejamini:
KQZ me përfaqësues partish, komisioni i medias me anëtarë partish, zgjedhjet administrohen nga partitë etj. Pra, ne jemi në një situatë ku partitë kontrollojnë gjithçka.
Fakti është që partitë politike sot janë institucionet më të prapambetura në Shqipëri, në raport me çdo gjë në shoqërinë tonë.
Ne votojmë partitë tradicionale dhe vetëm kaq.
Në Shqipëri fituesi merr gjithçka pas zgjedhjeve dhe humbësi humbet gjithçka. Prandaj zgjedhjet janë kaq të ashpra e të dhunshme sepse janë shumë interesa në mes.
Populli mund të votojë gabim, por nuk ka faj. Faji është i politikanëve sepse ata vjedhin.
Ne nuk prodhojmë elitë dhe janë të njëjtët politikanë prej vitesh.
Pushteti i kryetarëve të partive duhet kufizuar, ndryshe nuk kemi demokraci.
Ne respektojmë të vjetrit dhe u kërkohet llogari të rinjve pse largojnë figurat e vjetra. Pra jemi në kushtet ku edhe në letër i kemi gjërat të kufizuara e jo më në praktikë.
Fajin e ka elita politike, mediatike, intelektualët, biznesi.
Elitat shohin atje ku nuk shohin të tjerët dhe duhet të drejtojnë popullin, por këtu të ne nuk ndodh kështu.
Integrimi europian është përdorur prej vitesh nga politika shqiptare për të mbyllur gojën e problemeve të brendshme.

Alfred Lela:
Partitë janë nënprodukt i shoqërisë. Pra, a jemi ne më të mirë se partitë apo partitë më të mira se ne.
Situata politike ku ndodhemi është pasojë e krijuar prej vitesh. Mungesë demokracie, partitë politike, liderë autoritarë, por unë e shoh situatën në një prizëm tjetër.
Nuk mund të presësh nga shqiptari që në 25 vjet të lindë njeriun e ri, atë që Enveri donte ta lindte në 5 vjet.
Media ka probleme të shumta, gjëra që vijnë të përgatitura etj. Edhe media si elita politike është pasqyrim i situatës ku jemi. Më të ekspozuar politika e media janë e mund t’ua ngarkojmë kollaj fajet. Unë mendoj se zgjidhja është tek individi, jo të presim që shteti, partia, media të na zgjidhë punët.
Çelësi është individi shqiptar me votë, zgjedhje, rebelim, indinjim për zgjidhjen e problemeve. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje