Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Nuk luhet përdhunimesh”-gjithçka që ndodhi në marshimin e heshtur që foli shumë

“Nuk luhet përdhunimesh”-gjithçka që ndodhi në marshimin e heshtur që foli shumë
February 10
14:50 2019

Siç ishte njoftuar, ditën e sotme në orën 10 pranë Ministrisë së Arsimit u organizua nisja e protestës apo marshimit kundër ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale. Gjithçka erdhi nisur nga rastet e fundit të përdhunimeve si ai në Kavajë, apo në Drenas. Por jo vetëm, shumë raste të tjera na shoqërojnë rrotull nesh, qoftë edhe pa e ditur.

Pankartat e para ishin të varura në muret rrethuese të Ministrisë, dhe mesazhet u përcollën qoftë dhe te ata kalimtarë që nuk u bashkuan, por vazhduan rutinën e tyre:

“Shenjtëria” e familjes patriarkale është e mallkuar!”, “Ti nuk bërë asgjë për t’a merituar!”, “Minifundet nuk përdhunojnë, përdhunuesit po!” “Shkaqet e përdhunimit? Përdhunuesit!”

#nukluhetperdhunimesh #heshtjaponavret

Dhe pse në krahasim me ata që reaguan në rrjete sociale, personat që ishin mbledhur nuk ishin të shumtë, e rëndësishme është që për kauzën ishin bashkuar ato sado pak që e ndjenin realisht. Kishte djem dhe burra (shumë)! Që e kuptonin lirinë e vajzave dhe grave dhe erdhën aty sot për to. Kishte burra dhe gra të moshuara që nuk i përkasin mentalitetit të vjetër patriarkal, që paragjykon vajzat. Kishte nëna me vajzat e tyre, që ishin aty sot pikërisht për to: që në të ardhmen të mos jenë ato viktimat e radhës. Nuk munguan as figurat publike si: Aurela Gaçe, Rudina Dembacaj apo Fatma Haxhialiu që me prezencen e tyre janë një mbështetje e madhe.

Marshimi u bë i heshtur, sepse për ngjarjen është folur shumë. Tashmë duhej vetëm që ne te jemi aty për t’i thënë ndal gjithë kësaj që ndodh rreth nesh. Dhe për ata persona që kalimthi pyesin “pse u bë një protestë për vetëm një apo 2 raste që u përdhunuan” lërmëni t’ju them që protesta madje u bë shumë vonë. Zëri duhet ngritur që me ngacmimin e parë që sheh, që më besoni çdo vajzë e ka përjetuar. Qoftë nga bur(r)at e rastësishëm në rrugë, “komplimentet” e të cilëve janë fyese për figurën e femrës, qoftë nga i dashuri që nuk e kupton se nuk i detyrohesh asgjë nëse nuk dëshiron. Një apo dy rastet që ndodhën dhe u bënë publike janë një përqindje e pakët e asaj çka ndodh realisht.

Dhe marshimi paqësor drejt Drejtorisë së Policisë, organit që duhet të ofrojë siguri dhe mbështetje për çdo njeri që denoncon, nuk ishte vetëm për një apo dy raste. Ishte për mendësinë tonë që ende e normalizon çështjen, ishte për shoqërinë që çudinë më të madhe 3 ditë e zgjat, ishte për vajzat që nuk kanë zë dhe e gjejnë mbështetjen te ne, ishte për djemtë që duhet të mësojnë kufijtë e tyre.

Momenti më i bukur ishte dhe ai i një djali të vogël që me shumë dëshirë ju bashkua radhës së parë të protestës me pankartën që lexonte: “Motra ime meriton të jetojë jetën e saj pa frikë.”

Dhe me lajmërimin se në 8 Mars do të kemi organizimin e radhës, u mbyll protesta më paqësore dhe më e drejtë që mund të shihnit. Prandaj, gra dhe vajza, në “festën” juaj mos harroni sfidat që përballoni çdo ditë, por dilni e protestoni që të kërkoni të drejtat që ju përkasin.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje