Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Më 25 qershor hidhet në qarkullim monedha 10 lekë, ja ndryshimet

Më 25 qershor hidhet në qarkullim monedha 10 lekë, ja ndryshimet
June 11
17:20 2019

Banka e Shqipërisë njoftoi ditën e djeshme se duke filluar nga data 25 qershor 2019 do të hidhet në qarkullim monedha metalike shqiptare me vlerë nominale 10 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2018.

Monedha e re metalike, me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2018, ka të njëjtën përbërje, pamje, përmasa dhe peshë me monedhën metalike me vlerë nominale 10 Lekë, emetim i vitit 2013.

Ndryshimi nga emetimi i fundit qëndron tek viti i emetimit i shtypur në trupin e monedhës metalike, i cili në monedhën e re do të jetë “2018”, si dhe drejtshkrimi i fjalëve “LEKË”, dhe “SHQIPËRISË”.

Duke filluar nga data 25 qershor 2019, monedha metalike me vlerë nominale 10 Lekë, me kurs ligjor, emetim i vitit 2018, do të përdoret si mjet pagese paralelisht me të gjitha monedhat metalike ekzistuese në qarkullim të kësaj prerjeje, emetime të viteve të mëparshme.

Rishtypja e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor, me vlerë nominale 10 Lekë, është miratuar me vendimin 2/2018 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në mbështetje të ligjit 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar./Blitz.al/

Burimi: Monitor

 

Komento
Shperndaje