Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zyrtare: Botërori bëhet me 48 ekipe. Ja mundësitë e Shqipërisë

Zyrtare: Botërori bëhet me 48 ekipe. Ja mundësitë e Shqipërisë
January 10
12:32 2017

FIFA ka vendosur përfundimisht se botërori i futbollit që prej vitit 2026 do të bëhet me 48 shtete pjesëmarrëse.

Në bazë të vendimit do të jenë 16 grupe dhe secili prej tyre do të ketë nga 3 ekipe.

2 ekipet që renditen të parët kalojnë menjëherë në raundin tjetër me eliminim direkt, që do të ketë 32 skuadra.

Në bazë të kësaj shpërndarjeje, nga Europa do të shtohen 3 skuadra, Afrikës do t’i shtohen 4 dhe Azia do të ketë 4 pjesëmarrës më shumë.

Gjithashtu pritet që kjo pjesëmarrje e re të sjellë 975 milionë $ më tepër fitime për vendin organizator dhe vetë FIFA-n.

Me këtë ndarje të re shtohen mundësitë e Shqipërisë për të marrë pjesë në botëror, pasi realizoi kualifikimin historik në finalet e europianit të këtij viti.

Për në botërorin e vitit të ardhshëm dhe atë të vitit 2022 është thuajse e pamundur për vendin tonë të marrë pjesë, duke qenë se përballet me ekipe shumë herë më të forta, siç janë këtë vit Spanja dhe Italia.

Edhe legjenda Diego Armando Maradona ka vendosur të lobojë pro botërorit me 48 ekipe pjesëmarrëse. “Më tingëllon një ide fantastike. Ai do t’u japë më shumë mundësi vendeve që nuk kanë arritur kurrë atje deri në këto momente. Cilësia nuk do të bjerë. Ky është një shans shumë i madh për ato ekipe që tashmë do t’i nisin kualifikueset e botërorit duke ditur se do të kenë një shans më tepër për të shkuar në finale. E përshëndes iniciativën e Infantinos”,- tha Maradona në fjalën e tij. /Blitz.al/

Shperndaje