Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zheji: Qeveria rekomandon prostitucionin e studentëve?

Zheji: Qeveria rekomandon prostitucionin e studentëve?
November 18
13:32 2016

Analisti Artur Zheji ka bërë një rezyme të incidentit të djeshëm ku Mirela Ruko i hodhi në kokë Lindita Nikollës një qese me salcë.

Nëpërmjet portalit 360 gradë, ai shkruan ndër të tjera se qeveria aktuale u ka bllokuar të varfërve mundësinë të studiojnë në shkolla normalisht si gjithë të tjerët. Ndërsa shton se ky bllokim e ky qëndrim i qeverisë ka bërë që të përhapet një rrjet prostitucioni studentor vajzash që vetëfinancohen, sepse nuk munden të paguajnë shpenzimet më minimale dhe ato për arsimin e tyre.

Ja shkrimi i tij i plotë:

“Ministrja Lindita Nikolla është nga ministret e arsyeshme dhe punëtore të qeverisë “Rama”. Askush nuk e beson se reforma e ashtuquajtur e arsimit të lartë është krijesë e saj. Por ajo që u godit nga studentja e varfër Mirela ishte Lindita.

Kryeministri i koncesioneve shpiku një reformë, që fillimisht dha rezultate të mira. U mbyllën mjaft nga fabrikat e fëlliqura që shtypnin diploma dhe kjo u dha zemër të gjithëve dhe shumica prej nesh tha: “Shumë mirë, zoti kryeministër! Këto palo universitete, që vetëm emrin e kishin të tilla, duheshin mbyllur një orë e më parë!”

Mirëpo dardha e kishte bishtin mbrapa. Mbylljet vazhduan e universiteteve private dhe jo vetëm vazhduan, kësaj radhe me pikësynim të qartë përzgjedhës, politik në radhë të parë!

Sepse çdo qeveri, që ka synimin ambicioz të shndërrohet në një qeveri autoritare dhe paradiktatoriale duhet të shkelë dhe të ketë nën kontroll universitetet, sepse aty banon pjesa më romantike dhe më reformatore e shoqërisë: studentët!

Dhe pra, me pretekstin se universitetet duhen futur në konkurrim, privatet dhe shtetëroret, u rrit kuota financiare që universitetet shtetërore kanë si parakusht për regjistrimin e studentëve, duke u shndërruar në një barrierë të pakapërcyeshme për studentët si Mirela!

Nëse ka gjëra për të reformuar në arsimin e lartë shtetëror është abuzimi me paratë e shtetit, abuzimi me notën dhe niveli shpeshherë mjeran i mësimdhënies. Dhe ky reformim bëhet duke shtuar kontrollet, konkurset e ndershme që nuk u bënë asnjëherë të ndershme, metodë e vjetër por e drejtpërdrejtë, ku shteti dhe qeveria merr përgjegjësi morale dhe administrative.

Mirëpo qeveria “Rama” zgjodhi një rrugë tjetër, më të shkurtër dhe më dinake. U përpoq t’ia “shkarkojë përgjegjësitë tregut të arsimit të lartë”, pikërisht atij tregu që e degjeneroi arsimin e lartë deri në shitblerje diplomash.

Për të favorizuar këtë treg, të cilin e ndau në miq dhe armiq, rriti kuotat financiare të pranimit në universitetet shtetërore, që tani janë thjesht pak më të lira sesa universitetet private, por sigurisht të menaxhuara dhe të vjedhura shumë më keq.

Qeveria e majtë e mjekësisë falas dhe e arsimit të reformuar rilindas duket si një qeveri e bosëve që kanë zaptuar sot në Shqipëri çdo burim ku bëhet paraja.

Një qeveri që u pengon të varfërve të drejtën e barabartë për të konkurruar për të ardhmen e tyre normale. Një qeveri e majtë pra, që favorizon njerëzit me lekë dhe fëmijët e tyre në çdo pore dhe në çdo qelizë të shoqërisë, duke mbyllur rrugën e të varfërve, pikërisht të atyre në emër të të cilëve erdhi në pushtet!

Kjo është një tradhti e madhe morale dhe një shëmti e mirëfilltë qeverisëse, që studentë e studente si Mirela të ngelen jashtë portave të dijes, sepse duhet që shumë para të shkojnë në xhepat e bosëve të arsimit të lartë privat, që po fillojnë e shtohen si kërpudha të reja pas shiut të ri rilindas.

Pavarësisht gjestit të saj të diskutueshëm, Mirela dhe mijëra si ajo nuk kanë të drejtën të ndëshkohen për të mos u arsimuar, sepse prindërit e saj nuk kanë një parcelë hashashi apo nuk punojnë në ndonjë komitet partie.

Në një kohë kaq të shthurur dhe kaq në dekadencë morale, të bosëve të hashashit, të bosëve të mjekësisë, të bosëve të arsimit, të bosëve të krimeve shtetërore apo thjesht grabitqare, cili do të jetë fati i Mirelës?

Është kjo një qeveri me bojatisje të majtë dhe krejt e pandjeshme? Sigurisht që po!

A e di qeveria rilindase se ka një rrjet të mirëfilltë prostitucioni studentor vajzash që vetëfinancohen, për të studiuar, për të blerë makina dhe rroba me vlera të larta, si rrugë alternative të jetës së tyre?

Dhe prostitucioni është treg, sigurisht ende jo legal në Shqipëri, mos është ky lloj tregu rekomandim i pashkruar i qeverisë për të vetëfinancuar arsimin e lartë në Shqipëri? Sepse bosët e tregut sigurisht që nuk do të kishin gjë në kundërshtim.

Prisni, pra, nga studentët reagime edhe më të ashpra! Sepse ata asnjëherë nuk dorëzohen lehtë!”    /Blitz.al/

Komento
Shperndaje