Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zbulohet servisi ku u modifikua kamioni i grabitësve në Rinas

Zbulohet servisi ku u modifikua kamioni i grabitësve në Rinas
April 21
14:59 2019

Pas 12 ditë hetimesh, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zbuluar servisin ku është modifikuar furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, që u përdor për grabitjen në Rinas.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se ky servis ndodhet në Elbasan dhe policia ka marrë në pyetje pronarin për të bërë të mundur identifikimi e atyre që e kanë porositur modifikimin. Nuk bëhen të ditura ato që ka deklaruar ky person, por dëshmia e tij është mjaft e vlefshme, pasi nga aty mund të shkohet tek autorët e tjerë. Furgoni është një pikë kyçe për grupin hetimor, pasi autorët aty kanë lënë mjaft prova, nga gjurmë gishtat, deri te fije floku.

Hetuesit kanë dyshime se pjesë e këtij grupi të ketë qenë edhe një femër, e cila ka kryer veprime aktive në grabitje. Policia gjatë këtyre ditëve ka mbledhur dëshmi dhe të dhëna në disa qytete të vendit, si Tiranë, Elbasan, Fushë-Krujë dhe janë bërë hapa konkretë që mund të çojnë në zbulimin e grabitësve të tjerë. Gjithashtu, edhe për personin i cili dogji një furgon në afërsi të Bathores, për të shpërqendruar policinë, janë gjetur të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e tij.

Burimi: TV Klan

Komento
Shperndaje