Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zbardhet krimi në Tiranë, i riu u vra nga djemtë e pronarit të vilës te “Myslym Shyri”

Zbardhet krimi në Tiranë, i riu u vra nga djemtë e pronarit të vilës te “Myslym Shyri”
August 23
10:46 2019

Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjan e rëndë të ndodhur dje në “Myslym Shyri”, teksa u qëllua me plumb në kokë 26-vjeçari Indrit Çelaj. Sipas uniformave blu, i riu dyshohet të jetë qëlluar nga dy vëllezër, që janë djemtë e pronarit të vilës, në të cilën po punonte për kondicionimin.

Policia sqaron se nga hetimi ka rezultuar “se ne ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, shtetasi Griseldo Kusi, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij, shtetasin Albano Kusi, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me shtetasin Indrit Çelaj, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, e kanë plagosur rëndë me armë zjarri, i cili mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spital”.

Dy autorët e krimit janë shpallur në kërkim, ndërsa janë arrestuar katër bashkëpunëtorët në krim. Gjithashtu, policia sqaron se autorët e vrasjes kanë biseduar me shokun e tyre, shtetasin L. V., i ndaluar në orët e vona të natës, dhe i kanë kërkuar që të merrte përsipër autorësinë e ngjarjes pasi kishte vepra të tjera penale.  Ky i fundit nuk ka pranuar dhe në momentin e arrestimit nga policia, ka rrëfyer gjithë bisedën e vëllezërve Kusi.

Ndërkohë “BAlkanweb” raporton se për përkrahjen e autorëve dhe moskallëzim të krimit është arrestuar babai i tyre, Bujar Kusi, si dhe shtetasit Edmond Sula, Ferdinant Bakalli dhe Luan Çaka. Shkak i krimit dyshohet të ketë qenë një konflikt i çastit, i cili ka nisur me një përplasje verbale mes viktimës dhe dy vëllezërve, që ishin djemtë e pronarit të vilës, duke bërë që këta të fundit të nxjerrin armën dhe të qëllojnë mbi punëtorin e tyre. /Blitz.al/

Burimi: Balkanweb

 

Komento
Shperndaje