Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zbardhet ekspertiza nga policia: Ja çfarë ndodhi në të vërtetë me Ergi Dinin dhe Kejdi Halilin

Zbardhet ekspertiza nga policia: Ja çfarë ndodhi në të vërtetë me Ergi Dinin dhe Kejdi Halilin
November 24
09:34 2016

Një nga ngjarjet më tragjike të kryeqytetit ka qenë ndarja nga jeta e dy të rinjve, Ergi Dini dhe Kejdi Halili, në një aksident me motor në zonën e ish-Bllokut. Duke qenë se përgjatë gjithë kohës u aludua lidhur me shkaqet e aksidentit, policia ka zbardhur ekspertizën. Ajo çka kuptohet prej ekspertizës është fakti se nëse do të kishin përdorur kaskat, të dy djemtë do të kishin shpëtuar.

NGJARJA

Dy të rinjtë, Ergi Dini dhe Kejdi Halili, që kishin një miqësi të hershme me njëri-tjetrin, kanë qenë bashkë në një lokal që ndodhet pranë Librit Universitar, në zonën e ish-Bllokut. Pasi kanë dalë nga lokali, ata kanë hipur në motorin që e drejtonte Halili dhe kanë vazhduar rrugën në drejtim të urës që ndodhet mes pallateve “Agimi” dhe “Shallvareve”.

Nga të dhënat e Policisë motori nuk ka lëvizur me shpejtësi në asnjë moment gjatë kësaj rruge. Kur kanë marrë kthesën në të djathtën e tyre, që ndodhet në krah të Ambasadës Ruse, në bulevardin “Bajram Curri”, për të vijuar në drejtim të urës së Lanës, pranë ish-hotel “Dajtit”, motori ka humbur kontrollin.

Drejtuesi Kejdi Halili ka tentuar të ngrihet në gomën e parë, por në këtë moment ka ndodhur aksidenti, pasi ka rrëshqitur në asfalt goma e pasme. Motori ka shkuar zvarrë për 2-3 metra dhe të rinjtë janë përplasur në tokë, në trotuarin që ndodhet në krah të Ambasadës Ruse. Sipas policisë, ata kanë pasur plagë të rënda në pjesën e pasme të kokës nga goditja në trotuar, plagë të cilave nuk u mbijetuan dot.

POLICIA

Në rrugën që del nga zona e ish-Bllokut, për në bulevardin “Bajram Curri”, thuajse çdo ditë ka shërbime të Policisë Rrugore në patrullim. Por atë moment shërbimi nuk ndodhej aty, për shkak të angazhimit në afërsi të stadiumit “Selman Stermasi”, ku ishin kërkuar pasi do të kalonin disa makina të tonazhit të rëndë që kishin marrë leje më parë në polici.

Megjithatë, dy të rinjtë që lëviznin pa kaska mbrojtëse janë konstatuar nga komandanti i grupit të Policisë Rrugore, i cili ishte duke lëvizur me makinë nga ura pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës në drejtim të urës pranë ish-hotel “Dajtit”.

Oficeri i qarkullimit, sapo ka parë dy të rinjtë pa kaska, u ka kërkuar shërbimeve që ndodheshin te kryqëzimi i madh i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” që të ndalonte motorin, i cili po shkonte drejt tyre.

Teksa afrohej me mjetin e tij, oficeri ka parë bllokim trafiku te kryqëzimi i Ambasadës Ruse dhe kur ka zbritur nga makina ka konstatuar se motori të cilin ai e kishte raportuar te shërbimet ishte aksidentuar. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje