Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Zbardhen formularët e dekriminalizimit, mes të dënuarve kryebashkiakë dhe deputetë

Zbardhen formularët e dekriminalizimit, mes të dënuarve kryebashkiakë dhe deputetë
May 20
17:11 2016

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të zbardhë formularët e dekriminalizimit të plotësuar nga zyrtarët që janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ky vendim është marrë pas kërkesës së kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka dhe disa mediave.

Veç rastit të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, i cili ka pranuar se ka ndryshuar emrin dhe se ka një dënim me gjobë nga Gjykata e Kavajës, është gjykuar në Mynih “por nuk i kujtohet për çfarë arsyeje” dhe as rezultati përfundimtar i gjykimit, renditen edhe disa kryebashkiakë e deputetë të tjerë.

Kreu i Bashkisë së Krujës ka pranuar se është ndaluar dy herë në Itali, një herë në vitin 1996 në Caserta e më pas në Burso Arsizio, ku është gjykuar për trafik lëndësh narkotike dhe në fund të procesit ka dalë i pafajshëm.

Një tjetër rast i veçantë është ai i kryetarit të Bashkisë së Kurbinit, Artur Ndoi, i cili ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka ndryshuar katër herë emrin dhe mbiemrin e tij. Ai tregon se ka mbajtur “emra të padokumentuar” Gentian Lila, Altin Tanushi dhe Gent Bushi. Sa i takon vendlindjes, kryebashkiaku rezulton se ka lindur në Laç dhe Krujë.

I janë përgjigjur me “Po” pyetjes nëse janë ndaluar, dënuar apo gjykuar, edhe kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj dhe ai i  Poliçanit.

Nga radhët e deputetëve, Mhill Fufi ka pranuar në formular se është hetuar për favorizim prostitucioni dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme, ndërsa Arben Ristani ka deklaruar se është dënuar për “dhënie e vendimit të padrejtë”, dënim i amnistuar në Shkallën e Parë.