Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Xhaçka bën bilancin: 4 mijë persona s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre

Xhaçka bën bilancin: 4 mijë persona s’mund të kthehen në shtëpitë e tyre
November 29
12:42 2019

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat ka dhënë një lajm të mirë për qytetarët, ku thotë se edhe pse situata sizmike është ende aktive, fuqia goditëse e tyre ka ardhur gjithnjë në ulje. Më tej, Xhaçka iu bëri apel qytetarëve, që të tregohen vigjilentë dhe të mos ndërmarrin akte vetëvlerësuese në shtëpitë e tyre, pasi sipas saj, kjo qasje është e rrezikshme për  jetën e tyre.

“Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, sic janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezh, Shëngjin apo Beratapo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptar e të huaj”-tha Xhaçka.

Deklarata  e Xhaçkës:

Të dashur qytetarë, E di që ky mëngjes na gjen të gjithëve më të lodhur se një ditë më parë sepse janë ende netë ankthi si pasojë e pasgoditjeve, të cilat janë ndier edhe pak minuta më parë.

 

Por lajmi i mirë është se pavarësisht se situata është ende aktive, fuqia e goditjeve kanë një trend të dukshëm zbritës dhe shpresojmë që të gjitha këto të jenë shenjat që kësaj situate sizmike po i vjen fundi. Këto ditë kanë qenë vërtet të rënda e të vështira. Kanë qenë ditë tragjike, që na kanë testuar të gjithëve dhe jam shumë krenare që shqiptarët, kudo, në zonat e prekura, dhe ato jo të prekura, në rajon e kudo në botë, e kaluan këtë test në mënyrën më dinjitoze që ka fituar admirimin e botës, me solidaritetin e bashkëpunimin e tyre.

 

 

Jetët e humbura, 48 prej të cilëve deri tani janë të identifikuar nuk do të kthehen dot më. Kjo ngjarje ka pasur një kosto aq të rëndë në jetë të prera në mes, sa do të jetë e paharrueshme për të gjithë ne sa të kemi jetë.

 

 

Por, ka pasur edhe një kosto e pasoja jashtëzakonisht të rënda materiale, në shtëpi e banesa të shkatërruara. Dhe sot, kur operacioni i kërkim shpëtimit po vjen drejt fundit, prioriteti ynë është të garantojmë strehimin, ushqimin, kujdesin për çdo qytetar që sot ka mbetur pa strehë. Dhe përpara se të bëj në pasqyrë të punës që kemi bërë e jemi duke bërë, për t’i orientuar më mirë edhe qytetarët, dua të përsëris edhe njëherë thirrjen që kam përsëritur çdo ditë, për qytetarët dhe pushtetin lokal.

 

 

Nëse shtëpia juaj është e dëmtuar, mos bëni vetë ekspertin, mos rrezikoni veten e familjen. Largohuni! Largohuni për në strukturat akomoduese, sic janë qindra shtretër në hotelet më të mira në Durrës, Tiranë, Lezh, Shëngjin apo Beratapo për tek të afërm tuaj nëse dëshironi, por largohuni deri në verifikimi e situatës nga ekspertët sepse situata në banesat me strukturë të dëmtuar është sot po aq e rrezikshme sa ditën e goditjes së madhe sizmike. Sot ka nisur vlerësimi i rrezikshmërisë së banesave nga ekspertë shqiptar e të huaj.

Qytetarët duhet ta dinë, që pavarësisht përmasave të tragjedisë, sot jemi në një situatë ku jemi në gjendje të ofrojmë strehim dhe ushqim, veshmbathje e kujdes e mbështetje, për çdo familje e qytetar të prekur. Ekipet tona janë të pranishëm në të gjithë zonat e prekura nga Durrësi e Thumana e deri në Laç e Lezhë. Më konkretisht, po asistohen banorët në kampingjet e ngritura në: Thumanë, Fushë Krujë, Bubq, Ishëm, Marikaj, Vorë, Kurbin, Lac, Rrogozhine, Kamëz, Durrës dhe Tiranë.

 

 

Në total, sipas vlerësimeve paraprake në terren janë mbi 4 mijë banorë që sot e kanë të pamundur të rikthehen në banesat e tyre. Ky numër, me shumë gjasa do të ndryshojë në orët në vijim. E para, sepse një pjesë e madhe e këtyre familjeve janë qytetarë banesat e të cilëve nuk janë dëmtuar rëndë, por që si pasojë e ankthit e frikës kanë zgjedhur të kalojnë natën jashtë dhe që së shpejti me stabilizimin e situatës do të rikthehen në banesat e tyre.

E dyta, sepse me gjasë shumë banorë që ende sot i nënvlerësojnë dëmtimet e banesave të tyre, pas verifikimit nga ekipet tona, do të pranojnë të zhvendosen duke sjellë sërish një ndryshim të këtij bilanci. Unë dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që ne jemi gati dhe askush nuk do të mbetet në rrugë! Është duke funksionuar kuzhina fushore në Thumanë e po montohet kuzhina fushore, falë kontributit të Dhomës së Tregtisë së Kosovës, në Bubq duke siguruar kështu mbi 10 mijë vaktë të ngrohta për 7 ditë të javës.

Jemi duke bërë gjithçka, për të garantuar çadrat e nevojshme për të përballuar reshjet dhe të ftohtin e dimrit, vecanërisht pëe familjet në zonat rurale, të cilat nuk duan të shkëputin kontaktet bga bujqësia dhe blegtoria. Që prej orëve të para e deri më sot janë shpërndarrë 1 mijë cadra dhe të tjera do nisin të shpërndahen. Po komunikojmë me vendet partnere dhe Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit për të na asistuar me bazën e nevojshme materiale.

Por dua ta theksoj, që zgjidhja me çadra është një zgjidhje për në fazë emergjence! Nuk mund e nuk duhet të jetë një zgjidhje afatgjatë për 1001 arsye, ku më e rëndësishmja është cilësia e kushteve të jetesës dhe shëndeti i qytetarëve!

Prandaj, do të punojmë për t’i larguar banoret nga kampet me çadra e për t’i çuar ata në strehim më të sigurt, sic bëmë që ditën e parë me të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës.

E di që situata psikologjike e shumë familjeve është sot mjaft e rënduar. E mirëkuptoj dhe me shpirt e me zemër i gjendem sot afër çdo familje që ka humbur shtëpinë, që është sot e tronditur e nuk di se çfarë do të bëjë nesër për të rifilluar jetën. Por sot më shumë se kurrë na duhet mirëkuptimi dhe bashkëpunimi juaj.

E kuptoj që çdokush nga ju do sot, tani, një shtëpi. Por kjo është e pamundur të bëhet sot, brenda ditës. Rikuperimi do të kërkojë kohën e tij sepse dëmet janë masive, nga Durrësi në Thumanë, në Laç në Shijak në Bubq apo Tiranë. Janë me dhjetra pallate e qindra e banesa të shkatërruara, me dhjetëra e qindra të tjera që presin të identifikohen. Prandaj duhet durim, bashkëpunim dhe besim. Ne jemi në këmbë. Po bëjmë çdo gjë dhe do të bëjmë çdo gjë që këtë situatë ta tejkalojmë, sëbashku!

Burimi:Balkanweb

Share