Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vrau bashkëshorten nën urdhër mbrojtjeje, dënimi për ish-gardistin mbetet i njëjtë: 35 vite burg

Vrau bashkëshorten nën urdhër mbrojtjeje, dënimi për ish-gardistin mbetet i njëjtë: 35 vite burg
October 24
13:30 2016

Nga Anduena Llabani

Ish-gardisti Admir Dervishi, i cili vrau gruan më 6 prill 2016, do të vuajë 35 vite burgim. Edhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Dervishi pranoi krimin, duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 35 vjet burg.

Sipas këtij vendimi, ish-gardisti që vrau bashkëshorten 28-vjeçare në sy të dy fëmijëve të mitur, 4 vjeç dhe 10 muaj, ishte në kushte të tronditjes së rëndë psikike.

Vetëm pas krimit, prokuroria zbuloi se ndaj viktimës, Ilda Dervishi, kishte pasur një urdhër mbrojtje, të cilin Admir Dervishi e shkeli duke marrë vendimin fatal, atë të vrasjes.

Alibia që i pandehuri ngriti para gjykatës ishte se bashkëshortja nuk e respektonte dhe se në momentin e vrasjes mes tyre kishte pasur një debat të ashpër.

Mëngjesin e 6 prillit, pasi ka kryer krimin, Admiri ka dërguar fëmijët te fqinji, ndërsa vetë ka qëndruar në banesë, ku dhe është arrestuar nga policia pa bërë rezistencë.

Viktima u qëllua nga bashkëshorti ndërsa tentonte të linte apartamentin. Ai e qëlloi disa herë me pistoletë, dy plumba nga të cilët e kapën në pjesën e kraharorit. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje