Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vrasja në Pogradec, dy të rinjtë persona me precedentë penalë. Autori: Bënte si epror

Vrasja në Pogradec, dy të rinjtë persona me precedentë penalë. Autori: Bënte si epror
September 15
10:09 2016

Dy ditë pas vrasjes së 17-vjeçarit Fabio Hila në Pogradec, detaje të reja janë zbardhur lidhur me këtë ngjarje. Mësohet se dy të rinjtë, që dyshohet se kishin njohje mes tyre, kishin debatuar në Facebook dhe rreth një orë pas bisedës ka ndodhur krimi. Mes tyre ishin shkëmbyer sharje dhe kërcënime, ku ndër të tjera viktima i kërkonte Muçollarit të takoheshin te lokali.

Burime të grupit hetimor bëjnë të ditur se autori F. Muçollari dhe viktima Fabio Hila ishin persona me precedentë penalë të mëparshëm. Autori 17-vjeçar mësohet se kishte plagosur më parë një person në fshatin Starovë, ndërsa viktima kishte dhunuar me mjete të forta në kokë një moshatarin e tij.

Nga ana tjetër, në dëshminë e tij pas arrestimit, 17-vjeçari F. Muçollari, autor i vrasjes së të riut Fabio Hila, nuk ka shfaqur asnjë shenjë pendese mbi ngjarjen e rëndë. Ai u është përgjigjur me gjakftohtësi pyetjeve të grupit hetimor dhe ka pohuar se shkak është bërë një grindje e rëndomtë për një vajzë, por me viktimën nuk kishte njohje të mëparshme.

“Fabio ngacmonte shoqen time të ngushtë. Ne nuk njiheshim me njëri-tjetrin, por e kontaktova nga Facebook-u. I kërkova fillimisht të mos e ngacmonte atë vajzën, por ai ma ktheu me ironi dhe tallje çdo përgjigje. I kërkova prapë që ta lërë të qetë atë vajzën, por nuk e ka bërë. Gjatë gjithë kohës unë i flisja seriozisht, por atij i dukej vetja epror dhe të dy u nxehëm. Nisëm të fyenim njëri-tjetrin dhe pasi e mbyllëm bisedën, unë nuk arrija të gjeja qetësi”, – është shprehur fillimisht 17-vjeçari.

Më tej, ai tregon se shkoi në lokalin ku ndodhej viktima me disa shokë. “Më tha disa fjalë që më prekën në sedër. Mendja më shkoi menjëherë tek arma që kisha fshehur mbrapa shtëpisë. Shkova te vendi ku e kisha groposur, e nxora dhe u ktheva te lokali, atje e qëllova dhe ika”. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje