Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vrasja në Borsh të Sarandës, autori i krimit: “Po spërkaste rrushin dhe më helmonte dhitë”

Vrasja në Borsh të Sarandës, autori i krimit: “Po spërkaste rrushin dhe më helmonte dhitë”
June 02
09:39 2017

Një ditë  më parë, në Borsh të Sarandës një person vrau me çifte bashkëfshatarin e tij.

Sokrat Xhuveli mësohet se qëlloi shtetasin 79-vjeçar Et’hem Brahimaj, pasi midis tyre kishte pasur një debat verbal.

Fillimisht u raportua se midis tyre kishte pasur sherr pasi Brahimaj ishte zënë me nusen e djalit të tij, që është dhe mbesa e autorit të krimit.

“Gjithçka dyshohet se ka ardhur për motive të dobëta, ndërsa policia ka kapur menjëherë autorin dhe po bën shoqërimin e tij të menjëhershëm drejt ambienteve të policisë së Himarës”,- thoshte policia dje në deklaratën e saj.

Por ditën e sotme është informuar se shkaku i vrasjes mund të ketë qenë krejt tjetër.

Bëhet me dije se në polici, autori i krimit ka dëshmuar se e vrau Brahimajn për një arsye krejt tjetër nga ajo që u tha në fillim.

“E vrava sepse do spërkaste rrushin dhe mund të më helmoheshin dhitë”,- mësohet të ketë thënë Xhuveli në polici.

Gjithashtu mësohet se Xhuveli është një person konsumator i pijeve alkoolike dhe i braktisur nga familja.

Ndërkohë që Brahimaj njihej si një njeri i respektuar nga banorët  e zonës. /Blitz.al/

Shperndaje