Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vrasja e dysfishtë në Lushnje, identifikohet autori…

Vrasja e dysfishtë në Lushnje, identifikohet autori…
October 12
11:10 2017

Policia dhe Prokuroria e Lushnjës kanë identifikuar një person si autorin e dyshuar të vrasjes së dyfishtë dje në qytet.

Balkanweb bën me dije se është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet Laert Haxhiu, si personi i dyshuar që ka qëlluar dhe vrarë me kallashnikov Jurgen Hoxhën dhe Zamir Latifin.
Shtetasi në fjalë akuzohet gjithashtu edhe për plagosjen një vit më parë të nipit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti.
I plagosur mbeti gjithashtu edhe shtetasi Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar.

DEKLARATA E POLICISË
Policia identifikon brenda pak orësh autorët e ngjarjes së mbrëmshme në Lushnje dhe i shpalli në kërkim; janë me precedente penalë.
Lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmë në qytetin e Lushnjes, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Përroit” ku u qëlluan me armë zjarri e për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Z.L, 26 vjeç, banues në Lushnje, dhe J.H, 26 vjeç, banues në Lushnje si dhe u plagosën 2 persona të tjerë, grupi i posaçëm hetimor zbardhi autorësinë dhe shpalli në kërkim 2 persona.

Me marjen e njoftimit nga ana e Komisariatit të Policisë Lushnje u organizua puna dhe u ngritën menjëherë pika kontrolli nëpër kryqëzimet, hyrjet dhe daljet në qytet me qëllim kapjen e autorëve.

U njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Berat e Durrës me qëllim ngritjen e pikave të kontrollit në akset rrugore.

Grupi hetimor ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku u kryen veprimet e mëposhtme: si këqyrja e vendit të ngjarjes ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gëzhoja si dhe një pistoletë, e cila dyshohet se i përkiste viktimës, shtetasit Z.L.

Grupi hetimor sekuestroi si prova materiale pamjet filmike në dy biznese në afërsi të vendit të ngjarjes.

Rreth orës 19:15, në parcelat e fshatit Çukas, në krahun e majtë të rrugës nacionale Lushnje-Berat, u gjet i djegur një automjet tip Mercedes-Benz.

Në brendësi të tij u konstatuan dhe u sekuestruan 3 armë zjarri dhe një fishek i paplasur.
Këqyrja e mëtejshme e automjetit për të përcaktuar numrin e shasisë po vijon në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve qe ka mbledhur grupi hetimor, pjese e të cilit ishin edhe Drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjes ku është tentuar të vriten me armë zjarri 2 shtetas.

Autorët e dyshuar të asaj ngjarje janë shtetasit L.H dhe O.B të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”.

Dyshohet se autorët e mundshëm edhe të ngjarjes së djeshme janë shtetasit në kërkim L.H dhe O.B. Po vazhdon puna për ndalimin dhe kapjen e tyre.

Policia e Shtetit duke falënderuar qytetarët për bashkëpunimin i fton ata të telefonojnë në numrin 129 për çdo informacion apo paligjshmëri që konstatojnë./Blitz.al

 

Shperndaje