Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vrasja e Çollakut, gjaku tek fashetat s’është i Denis Shtrazës

Vrasja e Çollakut, gjaku tek fashetat s’është i Denis Shtrazës
May 18
09:32 2016

Ekspertiza e ADN-së ka arritur në përfundimin se gjaku i gjetur në automjetin me të cilin dyshohet se u rrëmbye Gazmend Çollaku, nuk është i Denis Shtrazës. Ky i fundit është një prej të dyshuarve kryesorë për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e shtetasit Çollaku.

Krahasimi i të dhënave të gjakut me gjurmët e gjetura është bërë pas kërkesës së Policisë së Durrësit për të vërtetuar nëse gjurmët janë të ngjashme.  “Profili gjenetik i përfituar nga kampioni i pështymës së shtetasit Denis Shtraza (provë material 1), model krahasimi i këtij ekspertimi, është i ndryshëm nga profili gjenetik i përfituar nga gjaku në fashetat plastike (provë material 1).”, thuhet konkretisht në dokumentin e eksperimentimit biologjik të ADN-së, të hartuar nga Policia Shkencore.

Gazmend (Laert) Çollaku u morr peng mbrëmjen e 6 janarit në Durrës nga disa persona të veshur si policë dhe më pas u gjet i vrarë në fshatin Murqin të Krujës. 33-vjeçari Denis Shtraza është i dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e viktimës, për motive ende të panjohura. Për policinë, ai është person me tendenca të theksuara kriminale dhe precedent penalë në fushën e veprave penale kundër jetës, si dhe i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal.

Burimi: Gazeta Shqiptare

Komento