Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Vranë gjyshen, 23 vjet burg mbesës, 20 vjet burg të dashurit të saj

Vranë gjyshen, 23 vjet burg mbesës, 20 vjet burg të dashurit të saj
March 06
13:48 2017

2 vjet pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së një të moshuare 82-vjeçare në Shkodër, Prokuroria e këtij qyteti ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dënimet përkatëse për vrasësit e saj.

Organi i akuzës ka kërkuar përkatësisht 23 vite burg për Xhoana Hilën, e cila akuzohet për vrasjen e gjyshes së saj, ndërsa për të dashurin 20 vite heqje lirie.

Ngjarja në fjalë, e cila tronditi mbarë opinionin publik ndodhi dy vite më parë, kur mbesa, në bashkëpunim me të dashurin e saj, Eraldo Qatipi, vrau të moshuarën Angje Hilën, vetëm për disa bizhuteri që ajo mbante në banesë.


Ngjarja ndodhi në maj të vitit 2015 në Shkodër.

32-vjeçarja rrëfeu para trupit gjykues vrasjen e gjyshes së saj, por duke ia faturuar krimin të dashurit. Xhoana pohoi se gjithçka kishte ndodhur pasi e moshuara kishte zbuluar vjedhjen e parave e të bizhuterive dhe kishte reaguar për t’i mbrojtur ato.

Por i dashuri i saj, 27-vjeçari Eraldo Qatipi, me të cilin ajo kishte dy vjet e lidhur, kishte reaguar dhunshëm ndaj 82-vjeçares, duke e mbytur atë. Vajza tregoi para trupit gjykues se Eraldo e kishte mbytur gjyshen e saj me jastëk.

“Nuk e mbyta unë gjyshen. Unë dhe Eraldo ishim duke marrë sendet në dhomën e gjumit të gjyshes kur ajo na pikasi. Ne u përpoqëm të iknim, por gjyshja deshi të na ndalojë. Kjo bëri që i dashuri i vajzës, ngaqë ishte i dehur, ta kapte gjyshen për fyti. Më pas i vendosi një jastëk mbi fytyrë për të mos e lënë të bërtiste. Por kjo i kushtoi jetën. Ne donim të merrnim vetëm bizhuteritë e paratë, por gjyshja nisi të bërtiste e të na ndalonte”,- tha mbesa pak kohë më parë në dëshminë para hetuesve.

Ngjarja tronditi opinionin publik shqiptar e tashmë që prokuroria ka përfunduar hetimet, pritet që vendimi i gjykatës të jetë i shpejtë për të marrë një vendim mbi çështjen në fjalë. /Blitz.al/

Share