Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vlahutin për reformën në drejtësi: Punë raskapitëse, të nisë hetimi

Vlahutin për reformën në drejtësi: Punë raskapitëse, të nisë hetimi
July 23
14:49 2016

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, e ka cilësuar si raskapitëse punën e bërë për miratimin e reformës në drejtësi. Në një intervistë për “Deutche Welle”, ambasadorja shprehet se për herë të parë, Shqipëria ka shansin të ecë më shpejt.

“Ishte një proces shumë gjithëpërfshirës dhe, mund të them, një punë rraskapitëse për paketën kushtetuese për reformën në drejtësi, e cila mbulon më shumë se 1/3 e Kushtetutës aktuale. Pra, mund të merrni me mend ç’ lloj ndërhyrjeje u ndërmor dhe që duhet të ndiqet tani nga rreth 42 ndërhyrje të reja në legjislacion.”, shprehet Vlahutin.

Më tej, ajo nxit këdo që të nxitojë me zbatimin e reformës pasi do të duhet kohë që Shqipëria të ngrejë institucionet e reja, e të përkthejë këtë vullnet politik.

“Ju e dini që ka pesë prioritete kryesore për hapjen e negociatave dhe reforma e drejtësisë është njëra prej tyre. Por në fakt, kjo reformë mbulon në një mënyrë ose tjetrën të pesta prioritetet pasi elemente të saj janë absolutisht të rëndësishme për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit. Ne jemi këtu për të ndihmuar.”, theksoi ambasadorja.