Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vjedhja e 1 milion eurove në Rinas, të arrestuarit kërkojnë lirinë

August 03
22:26 2016

...

Vjedhja spektakolare e 1 milion eurove në pistën e aeroportit të Rinasit rrezikon të mbetet pa autorë.

Në qelitë e burgut, si pjesë e komplotit të vjedhjes së bujshme, përfunduan 5 persona, mes të cilëve 4 punonjës të shoqërisë që administron aeroportin e vetëm në vend. Çështja, e cila u mor në shqyrtim nga Gjykata e Krimeve të Rënda për nga kompetencat e veprës penale që ngriti prokuroria, nisi së pari me vlerësimet e masave të arrestit, duke i cilësuar si të ligjshme ato.

Një vendim i Gjykatës së Apelit e ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë për 5 të arrestuarit e vetëm të vjedhjes në Rinas, duke u lënë atyre të drejtën të kërkojnë lirinë.

Kështu, pas këtij vendimi, avokatët, Bledar Blloshmi, Arben Karafili, Vangjel Nikolla, Fadil Jonizi dhe Kujtim Picari , do t’i drejtohen me një kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me objekt urdhërimin e lirimit të klientëve të tyre nga qelitë e paraburgimit.

Sipas avokatëve, të pandehurit po mbahen në qeli pa një vendim gjyqësor.

Të pyetur për këtë konflikt juridik mes avokatëve dhe gjykatës, ata thanë se vendimi i Apelit nuk do të thotë heqje e masës së sigurisë për të dyshuarit, por lënie në fuqi e vendimit të Gjykatës së Krujës,  një vendim që kundërshtohet nga avokatët si inekzistent dhe jo kompetent.

Praktikisht në burg qëndrojnë 5 persona pa një vendim gjyqësor, pasi vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda u shfuqizua, ndërsa vendimi i Gjykatës së Krujës e ka humbur fuqinë që në momentin që kjo gjykatë shpalli moskompetencën.

Kjo do të thotë se praktikisht vendimi i Apelit i hap rrugën lirimit të të arrestuarve për këtë çështje. Nga ana tjetër, prokurorët e çështjes ende nuk kanë një qëndrim për këtë vendim gjyqësor./Blitz.al/

Komento
Shperndaje