Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Viti akademik 2016-2017, 31.579 studentë do të pranohen në universitetet publike dhe private

Viti akademik 2016-2017, 31.579 studentë do të pranohen në universitetet publike dhe private
August 02
10:10 2016

Maturantët nisën ditën e djeshme plotësimin online të formularit të aplikimit në universitet. Fillimisht do të jenë maturantët në Tiranë ata që do të vijojnë aplikimin deri më 3 gusht, ndërsa afati i fundit për të gjithë maturantët do të jetë data 11 gusht 2016.

31,579 kuota do të shpërndahen për 442 programe studimi të ofruar në universitetet publike dhe private në vend, ka njoftuar “Gazeta Shqiptarja”, përcjell Blitz.al. 12 universitete publike do të pranojnë 22.420 maturantë, pa përfshirë kuotat e miratuara për shqiptarët nga trojet.

Ndërsa maturantët që do të ndjekin studimet në universitetet private duhet të kryejnë aplikimin online brenda katër afateve. Universitetet private do të pranojnë 9158 studentë për vitin akademik 2016-2017.

Sa i takon procedurës që duhet të ndiqet, maturantët duhet fillimisht të bëjnë pagesën e faturës së aplikimit prej 2 mijë lekësh për të garuar në universitet. Më pas duhet të dorëzojnë mandatpagesën me qëllim pasqyrimin e mesatares së shkollës së mesme, për të vijuar me plotësimin e formularit të aplikimit.

Në ndryshim nga vitet e tjera, maturantët e këtij viti akademik do të kenë të listuara edhe programe studimi që ofrohen nga universitete private.  Në total, në formularin e aplikimit maturantëve do t’u shfaqen 442 programe, ku 290 janë programe studimi që ofrohen në 12 universitete publike dhe 152 të tjera janë programe që ofrohen nga 22 universitete jopublike, mes të cilëve duhet të zgjedhin vetëm 10 programe studimi.

Sa i përket kuotave të secilit universitet, fituesit do të zgjidhen në bazë të kritereve të përcaktuara dhe kuotave të pranimit.

Numri total i kuotave:

Universiteti i Tiranës – 5378 studentë,

Universiteti i Mjekësisë – 817 studentë;

Mjekësia e Përgjithshme – 226 kuota brenda vendit dhe 4 kuota i ka për trojet;

Infermieria – 250 kuota për maturantët brenda vendit dhe 24 kuota për trojet;

Universiteti Bujqësor i Tiranës – 2679 studentë, pa përfshirë kuotat e trojeve;

Universiteti Politeknik i Tiranës – 1407 kuota pranimi;

Universiteti “Fan Noli” Korçë – 1095 studentë;

Universitetit i Elbasanit – 3445 kuota pranimi, pa përfshirë trojet;

Universiteti Gjirokastrës – 929 kuota;

Universiteti i Shkodrës – 1903 kuota pranimi për maturantët brenda territorit;

Universiteti i Vlorës – 1927 studentë;

Universiteti i Durrësit – 2321 studentë;

Universiteti i Arteve – 219 kuota për studentët brenda vendit;

Universiteti i Sporteve – 300 studentë

/Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje