Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vijon lufta PS-LSI, Tahiri përplaset me Pojanën, Spiropali me Ramën

Vijon lufta PS-LSI, Tahiri përplaset me Pojanën, Spiropali me Ramën
June 12
18:57 2017

Nuk ka më paqe mes dy aleatëve të qeverisë dhe këtë e kanë konfirmuar disa debate të zhvilluara sot mes të dyja palëve.

Kandidatja e PS-së Elisa Spiropali ka reaguar pas urimit të Luan Ramës për 26-vjetorin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Luan Rama shprehej mjaft ashpër për rilindjen e Partisë Socialiste në postimin e tij.

“Mirënjohje e nderim për socialistët shqiptarë dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë, në ditën e themelimit të kësaj kështjelle të qëndresës e heroizmit, të solidaritetit e humanizmit, që ka meritën historike të ringritjes së shtetit pas rrënimit total që shkaktoi regjimi i Berishës më 1996-n dhe 1997-n dhe që e bëri Shqipërinë aleate të NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës, vlera të cilat rilindja e tepsisë as nuk mund t’i tjetërsojë dhe as nuk mund t’i mohojë duke ndërruar ngjyrën e flamurit apo simbolet e Partisë Socialiste”,- shkruante Rama.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Spiropalit:

“Po postoj këtë postim të Luanit, që në emër të forcës së pa(pa)rë na uron ditëlindjen e partisë duke na sharë. Është vërtet e pa(pa)rë kjo forcë që s’ka limit në paparësinë e saj dhe Luani e mishëron atë me të gjithë maçokërinë e tij, sa herë shfaqet për t’i vënë pikat mbi “i”.

Sa thotë njeriu me këta, po mirë si ka mundësi, bum të habisin me një tjetër çudi dhe pa fjalë të lënë me të tyren pafytyrësi. Nuk e di si i bëhet vërtet me këta të pa(pa)rë, që edhe priftin edhe hoxhën i bëjnë me barrë, kur u preket një fije a gram lënda e parë. Po një gjë e di me siguri, që veç populli mund ta bëjë atë mrekulli, që forca e pa(pa)rë të shkojë në shtëpi, po jo me jo, aman jo në qeveri.

Luanit s’kam ç’i them, thotë ç’i thonë, ata që janë helm, ku e kanë gjithë populli e di, dashtë Zoti t’u japë mësimin e tij”,- reagon Spiropali.

 

Një tjetër debat në distancë u zhvillua mes ish-ministrit Tahiri dhe kandidatit të LSI-së për Tiranën, Klevi Pojana, i cili iu kundërpërgjigj Tahirit kur ai e quajti LSI-në një lukuni të tërbuar.

Pojana e cilëson Tahirin si ministrin e shkarkuar për trafik droge dhe i kujton se pa ata, PS-ja nuk do të mund të krijonte kurrë qeveri.

Kujtojmë se Klevi Pojana është renditur i gjashti në listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së, fill pas Luan Ramës.

STATUSI I PLOTË

 

E nxori kokën dhe i shkarkuari për drogën!
Sa-i-keqi apo ministri që u shkarkua për drogën përsëri e nxori kokën! Dhe na qenkërka zemëruar për disa të vërteta të qeverisjes, saqë e ka humbur toruan fare e nuk di as çfarë shkruan dhe as çfarë flet! Ti more Sa-i-keq duhet ta dish mirë që pa LSI-në dhe Ilir Metën, PS-ja nuk do të kishte asnjë shans dhe asnjë mundësi që të bëhej parti qeverisëse në Shqipëri. Do të kishte mbetur në opozitë dhe ti kushedi se ku do të vërviteshe ditë e natë e jo vetëm natën siç bredh tani me ata që pasi e mbushët Shqipërinë me drogë si asnjëherë tjetër më parë, po përpiqeni ta mbushni edhe me horra për të vjedhur zgjedhjet. As LSI dhe as Ilir Meta asnjëherë as e kanë sharë e as e kanë përgojuar Partinë Socialiste të Shqipërisë. Përkundrazi, kanë vlerësuar dhe çmojnë rolin e PS-së dhe të socialistëve shqiptarë për gjithë sa kanë bërë për vendin. E sa për rilindjen, është tjetër gjë! LSI e ka ndihmuar dhe e ka kritikuar me shpresën se do ta kuptonte që rilindja dhe droga nuk mund të rrinë bashkë, që rilindja dhe krimi nuk mund të jenë bashkudhëtare, që rilindja dhe burgosja pa shkak e pa arsye ligjore e qytetarëve të pafajshëm nuk mund të jenë e njëjta gjë. Mirëpo, ja që ndodh edhe të dështojmë si në rastet e mësipërme! Po ti i Sa-i-keq vazhdo e shkruaj prapë se je i vetëmjaftueshëm që njerëzit të kuptojnë se çfarë është rilindja me rilindas si ti dhe se përse rinia e Shqipërisë do t’ju braktisë edhe më 25 qershor ju dhe rilindjen e droguar!

Shperndaje