Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(VIDEO) Vrasja e ambasadorit. Fotografi rrëfen tmerrin

(VIDEO) Vrasja e ambasadorit. Fotografi rrëfen tmerrin
December 20
16:09 2016

Fotografi i Asocciated Press, që rastisi në ekspozitën ku ndodhi ngjarja e rëndë e vrasjes së ambasadorit rus Andrey Carlov, ka treguar momentin e të shtënave dhe frikën që ka përjetuar duke qenë vetëm pak metra larg vrasësit.

“Në një fragment sekonde, e gjithë skena kaloi nga një qetësi totale në një mjedis kaotik. M’u deshën pak momente për të kuptuar çfarë po ndodhte. Një burrë kishte vdekur para syve të mi, një jetë ishte shuar nga të shtënat”,- tha Burhan Ozbilici.

Më tej ai shtoi se ishte tepër i frikësuar që vrasësi ndodhej përballë tij, por vijoi të bënte fotografitë për të shënuar këtë ngjarje të rëndë.

Atentatori qëlloi plot 9 herë në brendësi të galerisë ndaj ambasadorit.

“Njerëzit filluan të fshiheshin, disa nën tavolina, disa po bërtisnin me të madhe. Edhe unë pata frikë dhe konfuzion, por bëra punën time, fotografitë”,- shtoi më tej fotografi.

Ambasadori rus u vra mbrëmjen e djeshme në një galeri në kryeqytetin turk Ankara nga një ushtarak 22-vjeçar, i cili ishte jashtë shërbimit në momentin e ngjarjes.

Pas të shtënave, ai bërtiti disa herë “Allahu Akhbar”. /Blitz.al/

Komento
Shperndaje