Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(VIDEO) Të afërmit e Nishanit grabisin pronat, vendimi i marrë nga një përmbarues i dënuar

(VIDEO) Të afërmit e Nishanit grabisin pronat, vendimi i marrë nga një përmbarues i dënuar
April 07
09:22 2016

Një konflikt për pronën në Durrës ka përfshirë 120 familje, të cilat nuk kanë mundur të regjistrojnë pronën pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës. Fillesa e këtij problemi për banorët e pallatit në lagjen nr. 9 të qytetit, prapa Poliklinikës së Specialiteteve, daton prej vitit 2002. Shkak është bërë një konflikt mes një prej pronarëve të truallit me subjektin ndërtues.

Disa ditë më parë, përmbaruesit gjyqësorë me mbështetjen e Policisë së Shtetit, kanë zbatuar me forcë një urdhër ekzekutiv, duke hapur qepenin e dyqanit, mbi të cilin pretendohej pronësia e një pjesë të sipërfaqes së tij. Përfaqësuesit e subjektit ndërtues dhe banorët e pallatit janë shprehur se është gruaja e djalit të xhaxhait të Presidentit Bujar Nishani, ajo që pretendon pronësinë në këtë pallat mbështetur mbi dokumente false.

Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi ligjor i subjektit ndërtues të pallatit, Aranit Roshi, ka denoncuar veprimet e kundraligjshme të zyrës përmbarimore që ka nisur ekzekutimin e një urdhër-ekzekutimi mbi një pasuri të një personi të tretë që s’është palë e vendimit gjyqësor.

“Përmbaruesi është duke shpërdoruar detyrën, në kundërshtim me të gjitha parashikimet e ligjit të përmbarimit dhe kodit të procedurës civile. Theksojmë se gjithë banorët e këtij pallati, nuk janë pajisur me certifikatë pronësie vetëm për një fakt: Personi që është kreditor dhe pretendon se ka pronësi mbi këtë dyqan, ka falsifikuar një certifikatë pronësie dhe s’është në gjendje të lidhë kontratën për kalimin e pronësisë me firmën. E gjithë kjo ka penguar hipotekimin e pallatit. Prokuroria e ka konstatuar këtë falsifikim por nuk ka filluar procedimin penal.”, është shprehur ai.

Ajo që e bën edhe më të paqartë situatën është fakti se përmbaruesi privat i kësaj çështje, Helidon Xhindi, pa pasur një titull ekzekutiv ka kryer ekzekutimin e vendimit në kundërshtim total me ligjin, duke shkaktuar një dëm shumë të madh. I habitshëm është fakti se ky përmbarues i akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe i shpallur fajtor nga Gjykata e Tiranës në Shkurt të këtij viti, ka ekzekutuar vendimin për çështjen e lartpërmendur, rreth një muaj më vonë, në Mars 2016. Në fund të shqyrtimit, Gjykata e Tiranës tha se i pandehuri duhet të dënohet me një vit burgim dhe vuajtja e dënimit të tij do niste nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi. Ndërkohë, atij iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej një viti.

Shfletoni galerinë për më shumë detaje

Teuta Nishani, vërtetimi falso

Teuta Nishani, vërtetimi falso
Picture 1 of 3

Komento