Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) Skandaloze! Ju tregojmë se si u vodhën shqiptarët sy për sy në koncertin e Daddy Yankee-t!

(Video) Skandaloze! Ju tregojmë se si u vodhën shqiptarët sy për sy në koncertin e Daddy Yankee-t!
July 28
11:12 2018

Ndoshta shumë prej jush janë njohur me Daddy Yankee-n nga kënga e famshme “Despacito” e cila ishte jo vetëm hiti i verës së kaluar por me një votim unanim të radiove ndërkombëtare, ajo u cilësua si kënga më e dëgjuar e vitit që lamë pas dhe ajo më e klikuara e të gjitha koherave në Youtube. Megjithatë, besojmë se ka edhe nga ata të cilët këngëtarin e njohin nga këngët e realizuara në fillimin e viteve 2000, siç janë “Gasolina”, “Dura”, “Limbo”, “Lovumba”, apo  “Lo Que Paso, Paso”. Këto këngë rrëmbyen zemrat e publikut shqiptar (ashtu sikurse të të gjithë botës), duke e bërë ardhjen e Daddy Yankee-it në Tiranë, një event mjaft të rëndësishëm.

Para 2 muajsh u lajmërua për herë të parë se këngëtari puertorikan do të mbante koncert në Tiranë, e të shumtë ishin ata të cilët mezi e pritën mbrëmjen e 27 korrikut, ku një pjesë e mirë rregulluan edhe pushimet verore në mënyrë të atillë që koncerti i Daddy-t t’i gjente në Tiranë.

Biletat për koncertin që u mbajt në sheshin kryesor të Tiranës, u shitën “online” dhe për një pjesë të mirë të shqiptarëve, çmimet ishin të kripura. Le të ndalemi pak tek çmimet:

 

Bileta më e lirë, standarde (rrjedhimisht më larg skenës): 23 euro

Bileta “Golden circle” (pak më pranë skenës): 33 Euro

Bileta “Platinium circle” (me pamje shumë të mirë, pranë skenës): 48 Euro

Bileta “Silver” (VIP): 100 Euro

Sigurisht, edhe paketa të tjera VIP të cilat ishin më të kushtueshme.

Siç mund ta shihni më sipër paketat VIP janë: 1484 Euro (8 persona në tavolinë), 2480 Euro (10 persona në tavolinë), 4976 Euro (12 persona në tavolinë). Në këto paketa përveç pamjes së mirë, ulëseve, personat kishin në çmim edhe një shishe pije alkoolike që ata vetë zgjedhin sipas dëshirës)

Duke pasur parasysh ekonominë shqiptare, një biletë minimalisht 3000 lekë (të reja) mund të konsiderohet e kripur, megjithatë, duke pasur parasysh një artist të kalibrit të lartë, çmimet e biletave justifikoheshin.

…dhe blerja e një bilete në fakt, qëlloi të ishte e vetmja gjë e saktë në organizimin e koncertit.

Përse organizimi i koncertit të Daddy Yankee-it ishte një dështim?

1 – (MOS)KORREKTËSIA NË ORAR

Në biletë thuhej saktësisht, në orën 19:00 hapen dyert e koncertit. Ishim përgatitur paraprakisht se përpara Daddy-t, do të ishin Ledri Vula dhe Enca të cilët do të ndiznin atmosferën për rreth 60 minuta, për t’i lënë më pas puertorikanit vend në orën 20:00. Epo, ja që kjo mbeti një plan në biletë, se në realitet ndodhi tërësisht ndryshe.

Ndonëse pjesa më e madhe e njerëzve, për korrektësi ndodheshin edhe më parë se ora 19:00 në shesh, dyert për të shkuar në vendin përkatës ku ishin marrë biletat u hapën në orën 21:00, e theksoj në orën 21:00!!! Ledri Vula, reperi i cili do të hapte koncertin, u shfaq në skenë rreth orës 22:00, çka do të thotë se praktikisht njerëzit qëndruan në këmbë për rreth 2 orë, duke mos pasur asgjë për të parë në skenë. Pas performancës së Ledrit, sërish muzikë dhe rreth orës 23:00 del dhe performon Enca, e cila i la radhën një DJ, duke bërë që Daddy Yankee të dalë në skenë në orën 12:00.

Rezultati: Publiku priti prej 5 orësh në këmbë Daddy Yankee-in, krejtësisht ndryshe nga sa thuhej në biletë! Ne e dimë këtë “zanatin shqiptar” që ndiqet edhe në dasma, “shkruaje në biletë një orë më herët hyrjen në mënyrë që të vijnë në kohë njerëzit”, por 5 orë, nuk kishim dëgjuar e parë gjëkundi!

2 – (MOS)RESPEKTIMI I BILETAVE DHE NDASIVE SIPAS PAGESËS

Sigurisht, pjesa më e madhe e njerëzve kishin marrë biletat 3000 mijë lekshe, duke qenë se ato ishin biletat më të lira dhe rrjedhimisht më masive. Megjithatë, duke qenë se nga gjithë turma që ishte prezente në shesh, kishte një pjesë të mirë të personave të cilët mezi e kishin pritur Daddy-n dhe e adhurojnë muzikën e tij, kishin paguar biletat më të shtrenjta në mënyrë që ta shihnin më afër këngëtarin e të mund të kishin një vend më të rehatshëm për ta shijuar koncertin, të paktën, kështu kishin menduar kur haxhuan para më tepër të mos blerë biletat standarde.

Por çfarë ndodhi në realitet? Duke qenë se jo shumë persona kishin blerë biletat e shtrenjta, në “sy të botës” (Daddy Jankee-it në këtë rast), organizatorëveve u duhej të bënin sikur kishin bërë një punë të mirë dhe e kishin mbushur zonën më të mirë, çka solli një hapje dyersh për personat të cilët ishin në zonën standarde. Këta persona, të cilët kishin blerë bileta për 22 Euro zunë vendet më të mira, duke krijuar një turmë mbytëse në zonën më të mirë (aty ku ishte paguar për bileta më të shtrenjta) e duke spostuar në prapavijë të gjithë ata të cilët në fakt meritonin të ishin aty. Më skandaloze ishte fakti se në këtë pikë të shfajqes, edhe persona që nuk kishin paguar fare u bënë pjesë e rreshtave kryesorë pasi dyert u hapën për të gjithë.

Rezultati: Ata që paguan mbi 50 euro e shijuan koncertin nga një pamje më e largët, ata që paguan 22 euro e shijuan koncertin gati-gati të hipur në skenë. Në fakt, ne shqiptarët nuk çuditemi shumë nga këto veprime hajdutësh, sepse kjo gjë,ndodh rëndom në stadiume a koncerte të tjera ku pas 10 minutave të para, hapen dyert për të mbushur plot vendet që janë të lira, duke bërë që personat të cilët paguajnë të ndihen budallenjtë e shekullit.

3 – VJEDHJA SKANDALOZE ME ANË TË PIJEVE

5 orë në këmbë deri në daljen e Daddy-t, spostimi i personave që paguan më shumë në vijën e prapme dhe sikur të mos mjaftonte gjithë ky acarim, një pjesë e mirë e njerëzve rrezikuan realisht të vdisnin. (Po, të vdisnin dhe kjo nuk është një fjalë bombastike për të thithur klikime)! Si në çdo koncert, të pranishmit e dinin se nuk mund të merrnin me vete pije apo ushqim, ama do të kishin mundësi ta bënin diçka të tillë brenda rrethimit të koncertit në stendat e krijuara nga organizatorët.

Pasi dyert u hapën në orën 21:00, njerëzit rendën drejt stendave të pijeve nga lodhja në pritje. Me të shkuar atje (për mos përmendur radhën), shitëset lajmëruan se nuk mund të merreshin pije me para në dorë, por me disa kredite të cilat duheshin marrë me anë të një byzylyku të posaçëm që në hyrje të koncertit. (SI DREQIN NUK LAJMËROI DIKUSH PËR KËTË?!). Gjithsesi, të etur për ujë, njerëzit shkuan të mbanin dhe një herë radhën për rripin e famshëm të krediteve. Me të shkuar prapë në stenda, shitëset lajmërojnë se rripi i krediteve duhet mbushur me para në mënyrë që të kesh mundësi të blesh, nuk mjafton vetëm të kesh rripin (SËRISH, SI DREQIN NUK LAJMËROI DIKUSH PËR KËTË?!). Pa pasur asnjë mundësi tjetër, të sfilitur e për nevojë të madhe për ujë, njerëzit shkojnë dhe mbushin me para byzylykët e krediteve duke futur aty shifra të ndyshme që arrinin deri në 200 euro (normalisht, shkuan për qejf e thanë të kënaqen e duke pirë). Pasi mbushën me para byzylykët e krediteve, në stenda shitëset lajmërojnë se për një defekt në sistem nuk mundeshin të jepnin pije, kështu që të gjithë mbetën pa blerë asgjë.

Pas 6 orësh koncert, pa asnjë pikë të vetme uji (për defekt të sistemit që nuk njihte byzylykët e famshëm të krediteve), njerëzit shkuan sërish në stenda për të marrë mbrapsht paratë që futën në formë kreditesh në byzylykët e tyre. Vajzat e stafit vazhdimisht thonin se nuk mbanin përgjegjësi për këtë dhe nuk mund të kthenin para mbrapsht. Të acaruar, të nevrikosur e të mërzitur për këtë vjedhje të pastër e flagrante, një pjesë e mirë u largua sepse ishin aq të lodhur sa as nuk mund të qëndronin më gjatë në pritje, ndërkohë ata pak persona të cilët bënë qëndresë, bërtitën e thërritën sikur po kërkonin diçka “qyl” dhe jo paratë e tyre, arritën t’i merrnin më në fund.

Ndërkohë personat të cilët kanë paguar paketat VIP, dhe brenda çmimit kishin të përfshirë edhe një shishe pije alkoolike, nuk arritën ta merrnin sepse sipas organizatorëve kishte një problem në sistem.

(Koment i marrë nga faqja në Facebook e Fatma Haxhialiut)

Për të kuptuar më qartë situatën, më poshtë keni këtë video:

REZULTATI: Të pranishmit në koncert, pasi nuk kishin pirë as edhe një pikë ujë për më shumë se 6 orë (e ku shembulli flagrant është një vajzë që pati gjendje të fikti), iu desh të përdornin edhe forcat e fundit për të përdorur zërin, për të kërkuar paratë e tyre, të cilat nuk u përdorën, ndërkohë që ata persona të cilët të frustruar nuk mund të duronin më të sqaronin situatën, u larguan nga koncerti duke humbur një sasi parash në kreditet e famshme prej byzylyku që organizatorët mesa duket i kishin vënë për të vjedhur e jo për të shërbyer.

Sigurisht kjo nuk është hera e parë që ndodh diçka e tillë, por është e trishtueshme, tejet dekurajuese që një event i cili pritet me zemër në dorë nga adhuruesit e muzikës të kthehet në tmerrin e atyre që ishin të pranishëm, të cilët harxhuan kohë dhe para, u spostuan si dele në pjesë të ndryshme të sheshit pa u respektuar pozicioni i tyre në biletë, u lanë pa një pikë ujë edhe pasi paguan për të marrë këtë shërbim, e në fund pas gjithë maratonës sfilitëse nuk morën mbrapsht as paratë e tyre, duke bërë që organizatorët të kryenin një vjedhje direkte nga xhepat e tyre me shumë stil.

Një pyetje kemi ne, a mund të kemi vallë ndonjë kujtim nga performanca e Daddy Yankee-it që aq shumë e pritëm? Do të kemi, ato dy postime në Instagram që kanë hedhur të gjithë të pranishmit, ndërkohë që shija e përdorjes dhe e zhvatjes nga organzitorët nuk besojmë se do të largohet ndonjëherë dhe sa e shëmtuar që nuk kemi në dorë të bëjmë asgjë për këtë, veçse t’i premtojmë vetes se nuk do të bëhemi më kurrë pjesë e organizimeve të tilla në Shqipëri. /Blitz.al/

 

 

 

Komento
Shperndaje