Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(VIDEO) Shpëton një njeri nga vetëvrasja, polici shndërrohet në hero

April 29
19:11 2016

Një video e kthyer tashmë në virale, tregon se si një oficer policie ka arritur në kohë të shpëtojë një qytetar që po tentonte të kryente vetëvrasje. Ngjarja ka ndodhur vetëm pak ditë më parë në urën Interstate 287 në Amerikë, nga ku qytetari kishte menduar të hidhej.

Ka qenë ndërhyrja në kohë e policit Greg Bogert, që i ka shpëtuar jetën. Në video shihet se si efektivi veteran i policisë me 18 vjet eksperiencë,  vrapon pas burrit dhe në çastin e fundit pengon  vetëvrasjen e tij. Teksa e mbërthen dhe e shtrin përtokë, burri ngulmon ta lejojë të hidhet.

“Familja ime ka vdekur, dua të vdes dhe unë. Jeta nuk ka më vlerë.”, shihet të thotë burri teksa qan. Pasi ka arritur ta qetësojë, efektivi Bogert mësohet se e ka dërguar atë në spital për marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore.

Kjo ndërhyrje e tij, e ka shndërruar tashmë Greg Bogert në një hero, i cili shprehet se ka marrë mjaft vlerësime pozitive si nga ekipi i punës edhe nga njerëz që i kanë dërguar atij letra. Kjo nuk është hera e parë që Bogert përfshihet në një situatë të tillë.

Në Dhjetor të vitit 2010, ai iu përgjigj një thirrje urgjente për një fëmijë të bllokuar brenda banesës, i cili nuk merrte frymë.

Etiketimet
Shperndaje