Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) Detaje të reja nga tragjedia në “Don Bosko”: Xhuljeta dhe Xhaferi disa herë në polici për çështje borxhi

(Video) Detaje të reja nga tragjedia në “Don Bosko”: Xhuljeta dhe Xhaferi disa herë në polici për çështje borxhi
June 08
17:08 2018

Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja që ka tronditur qytetin e  Tiranës ku një 31-vjeçar vrau ish- të dashurën e tij 19-vjeçare dhe veten mëngjesin e sotëm. Ngjarja tragjike ndodhi në “Don Bosko” të kryeqytetit, kur Xhafer Mata qëlloi me dy plumba Xhuljeta Çunin. Pavarësisht lidhjes së tyre të dashurisë, pas divorcit të 31-vjeçarit, vajza i kishte ndërprerë marrëdhëniet me djalin.

Balkanweb shkruan se përveç prishjes së marrëdhënies intime të rinjtë ishin në konflikt me njëri-tjetrin pasi 19-vjeçarja i kishte marrë një shumë lekësh borxh 31-vjeçarit dhe refuzonte t’ia kthente. Për konfliktet mes tyre të rinjtë ishin paraqitur disa herë pranë komisariatit nr. 3. Vajza kishte shprehur shqetësimet e saj para oficerëve të policisë se përndiqej nga ish-i dashuri, ndërsa ky i fundit deklaronte se thjesht kërkonte që ajo t’i kthente borxhin.

Dy të rinjtë banonin prej vitesh në Tiranë. Xhafer Mata ishte me origjinë nga Kukësi ndërsa Xhuljeta Çuni me origjinë nga një fshat i Matit. Ata janë njohur në lagjen e Xhaferit, pasi Xhuljeta punonte si kasiere në një market pranë shtëpisë së 31-vjeçarit. Ky i fundit megjithëse ishte i martuar dhe me një fëmijë rreth 1 vjeç, thuhet se kishte një lidhje dashurie me 19-vjeçaren. Për shkak të kësaj lidhjeje ai i dha fund martesës së tij në janar të këtij viti. Në 2 familjet e të rinjve janë hapur dyert e mortit. Të shokuar nga ngjarja ata nuk kanë folur për mediat. 31-vjeçari jetonte me prindërit si edhe fëmijën, ndërsa 19-vjeçarja jetonte me prindërit dhe motrën e vogël.

Nga ana tjetër Tv Klan ka publikuar pamjet e momentit të vrasjes së 19-vjecares ku shihet se si autori  që mban veshur një bluzë të kuqe, lëshon pistoletën në trotuar, pasi e ka qëlluar dy herë të renë, që gjendet e shtrirë në trotuarin e rrugës “Eshref Frashëri”, pak metra larg tij.

Komento
Shperndaje