Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(Video) Dëshmia e Boçit në prokurori: Videoja ndaj meje, presion për shkak të postit

(Video) Dëshmia e Boçit në prokurori: Videoja ndaj meje, presion për shkak të postit
November 04
17:06 2016

Nga Anduena Llabani

Për më shumë se një orë, prokurorët e krimeve të rënda kanë marrë në pyetje gjykatësin Guximtar Boçi. Pas seancës së pyetjeve, avokati i tij, Sajmir Visha, deklaroi se kallëzuesja e këtij gjyqtari është një person me probleme dhe gjithçka është e manipuluar. Ai ka dorëzuar në prokurori vendime që provojnë se kjo shtetase ka shantazhuar bashkëshortin, prindërit dhe fëmijën e saj, me qëllim përfitimin e një apartamenti të cilin nuk e gëzon me dokumente ligjore.

Nga i paditur, Guximtar Boçi, është kthyer në paditës.

“Unë nuk kam kërkuar favore seksuale ndaj askujt dhe nuk kam ndikuar në dhënien e asnjë vendimi gjyqësor, ndaj çdo gjë e thënë ndaj meje është një sajesë dhe presion për shkak të detyrës”.

Këto kanë qenë fjalët që ish-kreu i Gjykatës së Gjirokastrës, i akuzuar si i përfshirë në një skandal seksual, i ka ligjëruar përpara prokurores Pranvera Pushtina dhe oficerit të policisë gjyqësore, Arenc Çela.

Për më shumë se 90 minuta, dëshmia e tij është fiksuar në fashikujt e hetimit nga prokurorët e krimeve të rënda, të cilët, sipas avokatit, ende nuk kanë ngritur një akuzë konkrete ndaj ish-gjyqtarit.

Sajmir Visha (avokati):

Gjyqtari u padit publikisht me anë të një regjistrimi video dhe audio nga një shtetase, e cila pretendoi se i ishte kërkuar seks në këmbim të një vendimi gjyqësor.

Por përgjimet, sipas avokatit Visha, janë manipuluar ndërsa ndaj gruas janë siguruar prova, si vendime gjyqësore të vitit 2015 që dëshmojnë se pjesë e shantazheve të kësaj shtetaseje janë bërë edhe familjarët e saj.

Guximtar Boçi u pezullua një javë më parë nga posti i kryetarit të Gjykatës së Gjirokastrës me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deri në përfundim të hetimit. Prokuroria e Krimeve të Rënda po e heton atë për “korrupsion pasiv”.

Kallëzuesja e këtij skandali seksual aktualisht mbahet nën mbrojtjen e 3 punonjësve të policisë. Prokurorët thanë se në një fazë të dytë të dy personazhet do të vendosen përballë njëri-tjetrit në një seancë ballafaqimi. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje