Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Vendimi i PD-së: Me Ramën kryeministër nuk bëhemi pjesë e zgjedhjeve

Vendimi i PD-së: Me Ramën kryeministër nuk bëhemi pjesë e zgjedhjeve
April 18
14:47 2019

Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, janë zbuluar edhe vendimet e marra prej saj. Balkanweb ka zbuluar porositë e kryetarit të PD, Lulzim Basha, i cili i ka përcjellë Kryesisë së selisë blu tre vendime të rëndësishme, të cilat lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Partia Demokratike tregon se kriza politike në vend nuk garanton dot zhvillimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sipas saj, tashmë është faktuar se qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e zgjedhjeve në Shqipëri.

Kryesia e PD-së vendosi t’i propozojë këshillit Kombëtar:

– Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

-Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

-Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka pritur sot në një takim në selinë e PD-së, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman. Basha zhvilloi takimin me diplomatin britanik përpara nisjes së mbledhjes së Kryesisë së saj, ku ishin gjithashtu të pranishëm edhe ish-deputetë të selisë blu. Krahas PD-së edhe LSI-ja ka mbledhur Kryesinë e saj.

Vendimet e sotme te dala pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike pritet të marrin miratimin përfundimtar nga organi më i lartë i partisë, i cili është Këshilli Kombëtar.

Burimi:Balkanweb

 

Share