Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vendi i mbuluar nga bora, situata në të gjithë Shqipërinë dhe njoftimet mbi pezullimin e proçesit mësimor

Vendi i mbuluar nga bora, situata në të gjithë Shqipërinë dhe njoftimet mbi pezullimin e proçesit mësimor
January 10
11:55 2019

Shqipëria prej disa ditësh është e mbuluar nga bora dhe ngricat nga veriu në jug, për këtë arsye qarkullimi i mjeteve ka pasur shumë vështirësi, por nuk kanë munguar as problemet me energjinë elektrike. Gjithashtu në shumë shkolla në të gjithë vendin mësimi është pezulluar, duke u nisur dhe nga fakti që në klasa mungon ngrohja.

Fatmirësisht deri tani nuk ka pasur emergjenca shëndetësore apo viktima nga i ftohti. Ndërkohë ARRSH dhe institucionet e emergjencave në vend shprehen se mbarëvajtjen e rrugëve e kanë nën kontroll, sidomos akset kryesore që bëjnë lidhjen mes qyteteve.

E megjithatë gjendja nga Puka në Gjirokastër paraqitet problematike. Pikërisht në qytetin e Pukës, reshjet e borës kanë paralizuar qarkullimin në të gjithë fshatrat dhe në akset nacionale që të çojnë atje. Në Dibër proçesi mësimor është pezulluar, teksa rrugët e fshatrave janë bllokuar totalisht dhe trashëia e borës ka arritur në 1 metër. Aksi nacional është i kaluashëm edhe pa zinxhirë ndërkohë që për të gjithë rrugët e tjera zinxhirët janë të nevojshëm.

Në Korçë trashëia e borës ka arritur deri në 90 cm, duke sjellë kështu problem në qarkullim brenda dhe jashtë qytetit. Gjitahshtu raportohet se shumë fshatra janë izoluar dhe energjia elektrike mungon në vende si Vithkuqi, Lekasi, Moglica, Sheqerasi, Shengjergji apo Dardhasi. Në Kukës trashësia e borës është më e vogël, deri në 50 cm por gjithsesi ka problem si në qarkullimin e mjeteve ashtu dhe në furnizmin me energji elektrike.

Në qarkun e Lezhës ka pasur disa probleme, sidomos në Mirditë ku mësimi është pezulluar në të gjitha shkollat. Edhe në Rrugën e Kombit ka pasur prani të reshjeve të borës por kalimi në të bëhet pa problem. Në Librazhd dhe Prrenjas shkollat janë të mbyllura por fatmirësisht aksi i rrugës nacionale është i pastër, gjitashtu dhe rrugët rurale janë të kalueshme. Gjendja në Gramsh është përmirësuar nga dita e djeshme ku reshjet e borës e kishin izoluar totalisht këtë rreth. Mësimi aty vazhdon normalisht. Ndërkohë një nga qytetet ku reshjet e borës kanë qenë vërtetë të dendura është Gjirokastra. E ndërkohë që brenda në qytet kalimi për këmbësorët është pothuajse i pamundur, rrugët ndërqytetase janë pastruar dhe gjithashtu është bërë e mundur që kalimi në rrugën nacionale Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë të bëhet pa problem. Proçesi mësimor atje është pezulluar totalisht, ndërkohë që në spitale nuk janë paraqitur raste të rënda, vetëm disa persona me fraktura.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë njejtë si dje, edhe ditën e sotme bën me dije se disa Drejtori Arsimore Rajonale kanë marrë vendimin për pezullimin e përkohshëm të mësimit në disa shkolla. Sipas Balkanweb këto janë zyrat arsimore që lajmërojnë për mbylljen të shkollave apo zhvillimin e mësimit me orë të reduktuara:

“Në 16 Drejtori dhe Zyra Arsimore si: Gjirokastër, Librazhd, Pukë, Tepelenë, Përmet, Kukës, Tropojë, Has, Dibër, Mat, Bulqizë, Korçë, Pogradec, Devoll, Mirditë dhe Malësi e Madhe, është pezulluar procesi mësimor për të gjithë nxënësit.

Në 6 Drejtori dhe Zyra Arsimore, mësimi është ndërprerë në disa shkolla si: Shkodër në 28 shkolla, Gramsh në 4 shkolla, Vlorë në 2 shkolla, Lezhë në 3 shkolla, Kolonjë në 4 shkolla dhe Delvinë në 1 shkollë.

Në Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore: Elbasan, Peqin, Tiranë Qytet, Tiranë Qark, Kavajë, Durrës, Fier, Lushnjë, Krujë, Kuçovë, Berat, Skrapar, Laç, Sarandë, Mallakastër etj, mësimi zhvillohet normalisht ose me orë të reduktuara.”

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje