Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vendet bosh në gjykata, Këshilli i Lartë i Drejtësisë prezanton emërimet e reja

Vendet bosh në gjykata, Këshilli i Lartë i Drejtësisë prezanton emërimet e reja
November 18
16:12 2016

Nga Anduena Llabani

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka plotësuar vendet vakante në disa gjykata në vend.

Në mbledhjen e sotme (18 nëntor), KLD shqyrtoi dhe votoi kandidaturat për  gjyqtarë për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit Durrës, e dy vendeve vakante në Gjykatën e Apelit Vlorë, e një vendi vakant në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.

Me shumicë votash, në krye të Gjykatës së Tiranës është vendosur Enkelejdi Hajro, e cila pak ditë më parë ishte komanduar në këtë post.

Pasi konsultuan procesverbalin e testimit, raportet mbi shqyrtimin e kandidatëve me tabelat përkatëse, anëtarët e KLD-së vendosën t’i propozojnë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Apelit Durrës të z. Tritan Hamitaj, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës; emërimin në Gjykatën e Apelit Vlorë të gjyqtares Brikena Ukperaj (Lubonja), aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë Lushnjë dhe gjyqtarit Ilir Çeliku, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësorë  Tiranë, si dhe emërimin në Apelin e Krimeve të Rënda të z. Idriz Mulkurti, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Në vijim të mbledhjes, anëtarët e KLD-së shqyrtuan kandidaturat, për plotësimin e gjashtë vendeve vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pas përfundimit të procesit të votimit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicë votash, vendosi të transferojë z. Niko Rapi, aktualisht kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Pogradec, z. Erion Bani, aktualisht gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, znj. Irena Plaku, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe znj. Anila Karanxha, aktualisht gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnje.

Gjithashtu, Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë të z. Kujtim Vraniçi, aktualisht inspektor pranë KLD-së, dhe të Ahmet Metaliaj, ish-gjyqtar.

Pas transferimit të gjyqtarit z. Niko Rapi, Këshilli vendosi delegimin e gjyqtares znj. Emona Muçi për të ushtruar detyrën në funksionin drejtues të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Gjithashtu, me propozim të ministrit të Drejtësisë, anëtarët e KLD-së vendosën të shpallin vendin vakant për funksionin drejtues të kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Gjithashtu, Këshilli me miratimin e transferimit të gjyqtarëve të mësipërm në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me propozim të ministrit të Drejtësisë, bëri shpalljen publike për një afat 20 ditor, të katër vendeve vakante në gjykata, përkatësisht 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, 1 (një) vend vakant në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë./Blitz.al/

Komento
Shperndaje