Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vëllai i Aida Çajkës: Motrën time e vrau sistemi shëndetësor. Ende s’e dimë shkakun zyrtar

Vëllai i Aida Çajkës: Motrën time e vrau sistemi shëndetësor. Ende s’e dimë shkakun zyrtar
September 21
00:11 2016

Pak ditë pas tragjedisë që goditi familjen e shtetases Aida Çajka që së bashku me foshnjën 9-muajshe humbën jetën, vëllai i 35-vjeçares ka treguar në emisionin “Top Show” kalvarin e gjatë që ndoqën deri në përcjelljen e së motrës në banesën e fundit. Gjatë fjalës së tij, Fation Omuri ka akuzuar sistemin shëndetësor në vend si përgjegjës për tragjedinë për shkak të mungesës së profesionalizmit dhe empatisë përballë pacientit dhe të afërmve.

“Nuk akuzoj mjekët në veçanti, por sistemin shëndetësor të kalbur. Mendoj se kur paaftësia takon momentin sjell mungesën e fatit. Motra ime nuk vdiq nga shkaqe natyore, por si pasojë e tranferimeve të shumta dhe papërgjegjshmërisë së ekipeve mjekësore.”, është shprehur ai fillimisht.

Teksa ka përshkruar itinerarin nga materniteti “Koço Gliozheni” në QSUT, në Sanatorium e më pas sërish në maternitet, ai ka theksuar se transferimi është kryer me mjete personale. Ai akuzoi ekipin për mungesë të profesionalizmit.

“Mjeku në maternitet më tha pasi shkuam për herë të dytë se po priste të vinte një ekograf pasi nuk dinte të lexonte ekografinë. Ndërkohë që ishte ai që me ekografi në dorë më tha në fillim të kalvarit se foshnja, mbesa ime Aurora ishte gjallë. Më e rënda është kur mu komunikua “E vogla tashmë ka vdekur, të fokusohemi tek e madhja.” Më thanë që nuk kishin mjetet e duhura, ndërkohë që në Sanatorium i bënë radiografi në kushte skandaloze pavarësisht gjendjes së sime motre. Dua të denoncoj edhe ekipin mjekësor të autoambulancës. Shoferi na priti duke pirë cigare çka përbënte problem për shtatzënën dhe mund të rrezikonte edhe maskat e oksigjenit. I kërkova ta fikte dhe më tha “Nuk po ia hedh në sy motrës tënde.”, ka treguar ndër të tjera vëllai i 35-vjeçares.

“Kjo nuk është një fatkeqësi e familjes sime, por e gjithë vendit. Ata mjekë nuk u arrestuan për fajin tonë, por për faj të tyre. Ende nuk e di se çfarë shkaktoi humbjen e dy jetëve. Në fillim folën për probleme kardiake, pastaj për hemoragji e pastaj për çarje të shpretkës. Nuk kam parë ende asnjë ekografi dhe nuk e di a ekziston.”, deklaroi Fation Omuri, i cili denoncoi mungesën e mjeteve të dosdoshme, mungesën e një ekipi mjekësor të gatshëm për raste urgjente, si dhe mungesën e maskave të oksigjenit për të cilat u deshën minuta të tëra për të ardhur. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje