Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Veliaj për sheshin “Skënderbej”: Brenda javës hapet një pjesë e Unazës

Veliaj për sheshin “Skënderbej”: Brenda javës hapet një pjesë e Unazës
April 19
12:44 2016

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar një takim konsultativ me banorët për projektin e sheshit “Skënderbej”. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës synon investimin për më shumë hapësira publike për qytetarët dhe bëri me dije se brenda javës do të hapet një pjesë e Unazës.

“Prona e atyre që kanë shtëpinë në Njësinë 9 do të rritet duke patur parasysh Unazën e vogël dhe investimet që po bëhen në shesh. Brenda kësaj fundjave do të hapim një pjesë të unazës, për të vijuar punën pas Hotel Tiranës, tek pjesa e INSIG-ut. Kjo do të thotë se për çdo njeri që tregohet cinik dhe dashakeq për punët e Bashkisë, ne i përgjigjemi me punë. Nëse njeriu ka vendosur të jetë negativ për çdo lloj pune këtë nuk e kurojmë dot.”, është shprehur kryebashkiaku.

Në vijim, Veliaj bëri me dije se punimet tek sheshi “Skënderbej” nuk do të mbyllen menjëherë, por gradualisht, ndaj ai apeloi që të gjithë qytetarët të shmangin lëvizjet dhe të mirëkuptojnë punën për projektin më të rëndësishëm të Tiranës.

“Unë e kam kuptuar që në Tiranë ka edhe njerëz negativë. Ka stërkmbësha që nuk e duan të mirën e Tiranës. Presidenti doli në luftë për një park, imagjino çfarë do të ndodhë me sheshin “Skënderbej”, tha ai lidhur me reagimet për parkun në Liqenin Artificial.