Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Veliaj: Nishani, njeri i lig, keqpërdori pushtetin. Fasada e stadiumit s’do preket

Veliaj: Nishani, njeri i lig, keqpërdori pushtetin. Fasada e stadiumit s’do preket
May 10
00:13 2016

I ftuar në emisionin “Opinion”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është përgjigjur disa pyetjeve të moderatorit Blendi Fevziu. I pyetur për përplasjet e tij me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin, kryebashkiaku Veliaj tha se ndihet i zhgënjyer nga ai, për të cilin gëzonte respekt. Teksa e cilësoi si një njeri të lig, që keqpërdori pushtetin dhe nuk bëri asnjë gjë në 5 vite, Veliaj e akuzoi Nishanin se e ka shndërruar në leckë Presidencën dhe është me dy standarde.

“Më thuaj një vend të botës kur Presidenti i Republikës lë Presidencën dhe vjen e bëhet kryetar Komunale i Bashkisë. Nëqoftëse ka sfidë bashkinë, të vijë në zgjedhjet e tjera dhe e mund bindshëm.”, tha ndër të tjera Veliaj.

Sipas kryetarit të Bashkisë, i gjithë reagimi i Nishanit është një formë për të mbrojtur ndërtimin e 17-katëshit tek diga, duke zhvendosur vëmendjen tek ndërtimi i Parkut. Ai theksoi se data 1 Qershor do të jetë dita e gjykimit të tij, duke garantuar se parku i lodrave do të jetë spektakolar.

Ai tha se miratoi ndërtimin e këtij parku lojërash duke qenë se Liqeni Artificial i Tiranës nuk shfrytëzohej nga qytetarët. Sa i takon kundërshtimit të opozitës, kryebashkiaku tha se nuk pranon predikimet nga ajo parti që që lejoi 100 mijë hane; motele, hotele, karburante dhe pika bixhozi. Sipas Veliaj, ndër ata që e kundërshtojnë këtë projekt janë edhe ata dështakë që ai i pushoi nga puna.

Një tjetër çështje që u prek ishte edhe ndërtimi i “Arenës Kombëtare” që sipas moderatorit Fevziu, do të prishë fasadën e stadiumit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se fasada e stadiumit do të ruhet, por ajo që i përket Ansamblit nuk do ndryshohet pasi ajo ka ndryshuar. Lidhur me dy projektet ende në zhvillim, ai i Sheshit “Skënderbej” dhe ai i “Unazës së Vogël”, Veliaj bëri të ditur se projekti i sheshit parashikohet të mbyllet brenda një viti, ndërsa “Unaza e Vogël” përfundon këtë verë, pasi tre segmente kanë përfunduar tashmë.

Gjatë kësaj interviste, kryebashkiaku u pyet edhe për tentativat e tij të vazhdueshme për të imituar Presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.

“Këto thuhen nga ata që rrinë në “Facebook”, që e kanë humbur pushtetin. E habitshme që i kushtoni rëndësi, ka me mijëra politikanë të tillë. Të ngrenë kopshtet dhe çerdhet ata kryebashkiakët e tjerë, e le të dalin më pas në fotografi.”, tha Veliaj.

Komento