Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Veliaj: “Çerdhet dhe kopshtet, të hapura gjatë gjithë gushtit”

Veliaj: “Çerdhet dhe kopshtet, të hapura gjatë gjithë gushtit”
August 07
11:53 2017

Shtatori do t’i gjejë më të vegjlit e Njësisë Nr. 7 me kopsht të ri e me kushte bashkëkohore. Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar plotësisht godinën e Kopshtit Nr.17, i cili do të mirëpresë 120 fëmijë të ndarë në katër grupe.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS-së, Vasilika Hysi dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, inspektoi përfundimin e punimeve, ku për herë të parë u zbatua edhe projekti pilot me të rinjtë që vuajnë dënimin në sistemin penitenciar, të cilët kanë kontribuar në realizimin e mobilieve të kopshtit.

“Më vjen mirë që sot jemi bërë kaq shumë për të lënë një gjurmë në rritjen e 120 fëmijëve në Njësinë Nr. 7, me një kopsht totalisht të ri, për të cilin nuk do të mjaftonte as një libër për të treguar të gjitha peripecitë, derisa kemi mbërritur këtu. Shumë njerëz shohin gjëra të bukura dhe s’e kuptojnë që vetëm me shpronësime, kontrata, gjyqe, apelime, sa mund duhet për të mbërritur në këtë produkt. Megjithatë, rëndësi ka fundi dhe çdo peripeci ia ka vlejtur kur produkti është kaq i bukur”,- u shpreh Veliaj.

Ai falënderoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për angazhimin e të rinjve të cilët vuajnë dënimin në këtë institucion, në realizimin e bazës së nevojshme materiale për kopshtin.

Veliaj tha se ky projekt pilot do të shtrihet edhe në institucionet e tjera, si çerdhe dhe kopshte, ku ata që vuajnë dënimin të realizojnë të mira për komunitetin.

“Falënderoj drejtorin Çuko për kontributin e atyre që vuajnë dënimin, që kanë gjetur një mënyrë se si të rehabilitohen në shoqëri, duke bërë një punë konkrete, duke na ofruar shërbime konkrete përmes aftësive dhe talentit që kanë. Është një mënyrë fantastike se si këtë projekt pilot ta shtrijmë në kohë, në të gjitha kopshtet, shkollat e nevojat e tjera që kemi. Kemi shumë nevoja për mirëmbajtje dhe fare mirë ata që kanë nxjerrë disa mësime nga e kaluara e tyre dhe duan të rehabilitohen në shoqëri, jemi gati jo vetëm të përdorim shërbimet e tyre, por edhe t’i konsiderojmë si staf në të ardhmen, në disa prej këtyre punëve”,- deklaroi Veliaj.

Veliaj u bëri thirrje edhe investitorëve që të kontribuojnë për gjeneratën e ardhshme të qytetit. Ai deklaroi se për të dytin vit radhazi, bashkia ka marrë të gjitha masat që kopshtet dhe çerdhet të jenë të hapura gjatë muajit gusht për të pritur fëmijët.

“Kopshtet tona janë të hapura gjatë gjithë gushtit. Ky është viti i dytë që e respektojmë si rregull. Jo të gjithë kanë mundësi të bëjnë pushime në gusht, madje disa prej prindërve u duhet të punojnë, kjo është arsyeja pse do t’i mbajmë kopshtet hapur”,- u shpreh ai.

Nga data 1 shtator pranë kopshteve të Tiranës do të nisin regjistrimet e reja të fëmijëve. Veliaj bëri të ditur se gjatë këtij procesi do të merren parasysh dhe nevojat ekonomike të familjeve, ndërsa siguroi për rritje të mëtejshme të standardeve.

“Dua të ftoj të gjithë banorët e Njësisë Nr. 7, në datën 1 shtator do të hapim regjistrimet. Kemi shumë kërkesa, ndaj sigurisht që do kemi parasysh edhe nevojat ekonomike që kanë familjet dhe nevojat që ka lagjja për shërbim. Do të shtojmë edhe stafet në çerdhe e kopshte, për t’u siguruar që kemi sa më shumë edukatorë me sa më pak fëmijë, që secili prej tyre të marrë vëmendje maksimale. Ndihem i lumtur sot që në Tiranë ndoshta shumë gjëra nuk i kemi ende perfekte, por një nga gjërat që besoj për të cilat jemi të gjithë krenarë është niveli i çerdheve e i kopshteve të Tiranës, që padyshim kanë standarde europiane”, – tha kreu i bashkisë.

Ai bëri të ditur se faza tjetër do të fokusohet te përmirësimi i infrastrukturës së nevojshme për shkollat.

Komento
Shperndaje