Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdekja në maternitet, prokuroria: Ja pse kërkuam arrestimin e mjekëve

Vdekja në maternitet, prokuroria: Ja pse kërkuam arrestimin e mjekëve
September 18
15:12 2016

Nga Anduena Llabani

Një ditë pas ngjarjes së rëndë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, prokuroria shpjegoi arsyet e urdhër-arresteve që lëshoi ndaj dy mjekëve të këtij institucioni. Vdekja e një nëne 35-vjeçare së bashku me fëmijën që priste të sillte në jetë, në muajin e nëntë, ka hapur edhe një herë debatin për mënyrën e trajtimit nga ana e mjekëve. “Mjekim i pakujdesshëm”, kjo është akuza që do të rëndojë mbi mjekët e maternitetit, tashmë të vënë nën arrest. Pritet që masa t’u komunikohet ditën e hënë në gjykatën e Tiranës.
Në një njoftim për median, prokuroria bën të ditur motivin e urdhër-arrestit për mjekët Helidon Klosi e Dritan Decka.

“Në datën 16.09.2016, rreth orës 05.00, në Spitalin-Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni” është konstatuar vdekja e pacientes A. C. dhe e fëmijës së saj, seksi femër.

E ndjera A. C., e cila ishte në muajin e 9 të shtatzënisë, është paraqitur në datë 15.09.2016, rreth orës 22.30, në Spitalin-Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në gjendje të rëndë shëndetësore e shoqëruar nga të afërm të saj. Në vijim, e ndjera është vizituar nga mjekët obstetër gjinekologë, personat nën hetim H. K., N. C. e D. D., të cilët, pasi janë konsultuar ndërmjet tyre, pavarësisht gjendjes së rëndë të pacientes, e kanë dërguar pacienten për një kontroll në QSUT për konsultë kardiologu. Pas vizitës së bërë nga kardiologu, e ndjera është dërguar në SU “Shefqet Ndroqi”, për vlerësim nga pneumologu, ku pas vizitës është dërguar përsëri në Spitalin-Universitar Obstetrik- Gjinekologjik,“Koço Gliozheni” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Pas mbërritjes në Spitalin-Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, rreth orës 04.00, në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, e ndjera u është nënshtruar ekzaminimeve nga ku ka rezultuar se fetusi (fëmija) ishte i vdekur. Nga mjekët është nisur një ndërhyrje kirurgjikale, por shtetasja A. C. ka ndërruar jetë gjatë kësaj ndërhyrjeje.

Rreth orës 20.00, datë 17.09.2016, Prokuroria e Tiranës nxori urdhër-ndalimi për shtetasit: H. K., datëlindja 1969, D. D., datëlindja 1971”.

Familjarët e të ndjerës akuzuan mjekët se nuk u dhanë ndihmën e nevojshme mjekësore, po ashtu edhe strukturat e sistemit shëndetësor. Sipas tyre, ata jo vetëm i gjetën urgjencat mbyllur, por edhe kur u hapën nuk kishin mjete, si barela për të transportuar të sëmurën apo oksigjen. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje