Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdekja e shtatzënës, ministri Beqaj: Sistemi ka funksionuar, presim autopsinë

Vdekja e shtatzënës, ministri Beqaj: Sistemi ka funksionuar, presim autopsinë
September 22
22:23 2016

Rreth një javë pas vdekjes së shtatzënës Aida Çajka dhe foshnjës së saj, vijon hetimi për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së dyfishtë. I ftuar në emisionin “Top Story”, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u shpreh se deri tani nuk rezulton që ngjarja e rëndë të ketë ndodhur për shkaqe pakujdesie, çka shfajëson sistemin që akuzohet se nuk ka funksionuar.

“Nga raportet e deritanishme flitet për një përmirësim të arritur në sistemin shëndetësor vendas, pasi ka një rënie të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave. Ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por sistemi ka funksionuar. Duhet të presim autopsinë për të zbuluar shkaqet e vdekjeve e për të kuptuar nëse ishte faji apo jo i sistemit”,- u shpreh ndër të tjera Beqaj.

Akuzave të mungesës së maskave të oksigjenit në autoambulancë, ministri iu përgjigj duke thënë se maskat e oksigjenit nuk mbahen në autoambulanca, ato merren nga infermieria nëse paraqitet një nevojë emergjente. Sa i takon patologjisë të përfolur deri tani si shkak i vdekjes së 35-vjeçares, Beqaj u shpreh: “Çarja e enëve të gjakut që furnizon shpretkën është një patologji e rrallë me probabilitet të madh vdekjeje”.

I pyetur nga Sokol Balla lidhur me mbylljen e maternitetit në Mat, ministri i Shëndetësisë tha se kjo është e vërtetë dhe ndodh për shkak të mungesës së mjekut gjinekolog. “Kjo ndodh për shkak të mungesës së theksuar të specialistëve”,- u shpreh ai. /Blitz.al/

Shperndaje