Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdekja e nënës me foshnjën, mjekët: Vuante nga zemra, akuza: 45 ditë burg me afat

Vdekja e nënës me foshnjën, mjekët: Vuante nga zemra, akuza: 45 ditë burg me afat
September 19
16:05 2016

Nga Anduena Llabani

Edison Klosi dhe Dritan Deçka, dy mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni”, janë deri tani të vetmit përgjegjës për vdekjen e një gruaje në muajin e nëntë të shtatzënisë dhe foshnjës së saj.

Sot Prokuroria e Tiranës i kërkoi gjykatës masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditë për dy mjekët, ndërsa është në pritje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor. Që pas ndalimit, në orët e vona të së shtunës (17 shtator 2016), mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” mbahen në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Mbi ta është ngritur akuza për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me rastin, ku 35-vjeçarja Aida Çajku humbi jetën bashkë me foshnjën e saj.

Në deklarimet e para dhënë para hetuesve mësohet se 2 mjekët kanë thënë se ata kanë kryer detyrën dhe kanë zbatuar procedurat që ndiqen në të tilla raste.

Ata kanë pranuar se kanë dyshuar se pacientja e ndjerë vuante nga zemra, ndaj dhe kanë vendosur ta dërgojnë për vizitë më të specializuar te kardiologu në QSUT.

Por pavarësisht alibive që kanë ngritur mjekët, prokurorët kanë ngritur bindjen e arsyetuar në prova se sipas procedurave, ajo nuk duhej të lëvizte, por duhej të thirrej mjeku kardiolog ta vizitonte në maternitet.

Pas ngjarjes reagoi edhe Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë, duke u shprehur kundër arrestimit të mjekëve.

“Ne jemi kategorikisht kundër qëndrimeve dhe masave të parakohshme, emocionale dhe ekstreme, që çojnë në arrestimin e mjekëve pa u provuar dhe argumentuar fajësia e tyre, pa u sqaruar nëse kemi të bëjmë me mjekim të pakujdesshëm (neglizhencë), gabim mjekësor apo mangësi të organizimit dhe bashkërendimit institucional dhe ndërinstitucional që nevojitet në të tilla raste. Masat ekstreme dhe të nxituara nuk kanë asnjë efekt dobiprurës në përmirësimin e shërbimit shëndetësor”./Blitz.al/

Komento
Shperndaje