Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdekja e nënës dhe foshnjës, Ministria e Shëndetësisë: Iu dha asistenca e duhur

Vdekja e nënës dhe foshnjës, Ministria e Shëndetësisë: Iu dha asistenca e duhur
September 16
16:25 2016

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me gjendjen e 35-vjeçares Aida Çajka, e cila së bashku me foshnjën e saj ndërruan jetë mëngjesin e sotëm në maternitetin “Koço Gliozheni”.

MSH sqaron se mjekët e maternitetit, QSUT-së dhe Sanatoriumit i dhanë asistencën e duhur shtatzënës dhe gjatë gjithë kohës ajo ka lëvizur me ambulancë. Referëuar diagnozës së vënë nga mjekët, pacientja nuk mundi t’i mbijetojë hemorragjisë masive në regjionin e shpretkës pavarësisht ndihmës të dhënë.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë

Pacientja A. Ç., e datëlindjes 28/07/1981, lindur në Kukës dhe banuese në Bathore, Tiranë, shtatzënia e tretë, është paraqitur në SUOGJ “Koço Gliozheni” rreth orës 22 e 30 minuta të datës 15/09/2016. Pacientja paraqiti ankesa për vështirësi në frymëmarrje, cianozë periorale dhe dhembje në regjionin perikardiak.
Në Repartin e Pranimit të Shërbimit të Obstetrikës të këtij spitali, është ekzaminuar nga mjekët e rojës në abdomen, pasi gruaja ka refuzuar vizitën vaginale, e cila rezultoi me RZF (Rrahjet e Zemrës Fetale) prezente, uterus të qetë, pa kontraksione, paraqitje oblik-cefalik në palpacion, pa hemorragji të dukshme.
Në këto kushte, pacientja dërgohet me autoambulancë nën asistencë të personelit mjekësor, rreth orës 23 e 15 minuta, në Urgjencën e QSUT “Nënë Tereza” dhe pas mbërritjes është vizituar nga mjeku kardiolog. Më tej, nisur nga dispnea, cianoza dhe dhembja prekordiale që paraqiste pacientja, rreth orës 1 e 45 minuta dërgohet me autoambulancë, nën asistencën e personelit mjekësor të shërbimit të urgjencës, në SU “Shefqet Ndroqi”.
Pacientja u paraqit në SU “Shefqet Ndroqi” rreth orës 2:00 të datës 16/09/2016. Aty konstatohet një rënie e kuadrit të gjakut, grafi pulmonare normale dhe u dyshua për hemorragji të brendshme pa burim të përcaktuar.
Për këtë arsye, pacientja rikthehet në SUOGJ “Koço Gliozheni” në orën 4:00 të datës 16/09/2016, e shoqëruar me personel mjekësor me oksigjen dhe në perfuzion me dopaminë, ku shtrohet me diagnozën: “Gravidancë 41-42 javë oblik-cefalik, feto-morto in utero, abdomen akut”.

Qysh në shtrim përshkruhet gjendje e rëndë, e zbehtë, me djersë, puls të dobët takikardik 120/min, TA (Tension Arterial) 83/40 mm të shtyllës së zhivës.
Në këto kushte transferohet menjëherë në reanimacion, ku fillohet reanimimi dhe monitorimi. Vazhdoi trajtimi i pacientes me gjak, dopaminë, adrenalinë dhe O2 nazal dhe kortizonik. Në kushtet e gjendjes së rënduar të pacientes, u thirr konsultë e zgjeruar dhe me gjithë vazhdimin e reanimimit, gjendja e pacientes vazhdoi të rëndohet, me puls periferik, me shenjat tipike të gjendjes së shok-ut.
Në këtë situatë, konsulta vendosi që pacientja të futej në sallën operatore me diagnozën: “Abdomen akut”, me dyshim për hemorragji të brendshme.

Në orën 5:00, pacientja e fut në sallën operatore, ku u hap barku dhe u konstatua hemoperitoneum, rreth 2500 ml, me koagula të shumta, kryesisht majtas, uterusi (mitra) intakt (e paprekur). U nxor fetusi i vdekur (vdekje e freskët), likid i pastër, placentë normale.

Nisur nga reperti kirurgjikal i paraqitur në orën 5:45 u kërkua konsultë nga kirurgu, i cili konstatoi hemorragji masive në regjionin e shpretkës dhe koagula të shumta në këtë zonë. Me gjithë ndihmën mjekësore të ofruar, pacientja fatkeqësisht ndërroi jetë.
Kështu, të gjitha lëvizjet e pacientes janë bërë me autoambulancë nën asistencën e personelit mjekësor dhe shoqëruar me dokumentacionin mjekësor përkatës.
Autoambulanca SUGJ “Koço Gliozheni”– QSUT: TR 3516 L
Autoambulanca QSUT– SU “Shefqet Ndroqi”: TR 9438 K
Autoambulanca SU “Shefqet Ndroqi” – SUGJ “Koço Gliozheni”: TR 9604 K

 

Etiketimet
Shperndaje