Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdekja e 17-vjeçarit në Sharrë, PD akuzon Veliaj

Vdekja e 17-vjeçarit në Sharrë, PD akuzon Veliaj
August 11
13:26 2016

Partia Demokratike bën përgjegjës kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për ngjarjen e pak ditëve më parë në landfillin e Sharrës, ku u gjet kufoma e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Akil Kraja, thotë se Veliaj hesht përballë kësaj ngjarje të rëndë ndodhur në një territor jo vetëm nën përgjegjësinë ligjore të kryebashkiakut, por që përbën edhe një rast të pastër korrupsioni.

“Pse hesht Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës?! A mos vallë kompania e cila është nënkontraktuar nga një agjensi e Bashkisë së Tiranës e sapo krijuar, është nën administrimin e një personi të përjashtuar nga Italia për krime, apo për shkak se ky person është kryetar i PS-së në Peqin, për shkak se ky person është administrator në OSHEE?! E pra këta janë partnerët e Erion Veliajt.”, shprehet Kraja.

Sipas tij, ndërkohë që partnerët e kryetarit të Bashkisë së Tiranës shkelin normat e sigurisë, Veliaj vazhdon represionin ndaj qytetarëve duke shënjestruar fillimisht shitësit ambulantë, komunitetin rom dhe tani të rinjtë që punojnë për tu arsimuar.

“Kemi të bëjmë me një krim shtetëror sepse ligji që ndodhet në Parlament për importin e plehrave tregon që jemi në një rrezik më të madh për qytetin. Sot jemi dëshmitarë të një bashkëfajësie mes Bashkisë Tiranë dhe një kompanie që nuk kishte eksperiencën e nevojshme për të menaxhuar landfillin e mbetjeve në Tiranë.”, vijon më tej këshilltari i PD-së. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje