Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Vdekja e 17-vjeçarit në Sharrë, Bashkia e Tiranës: Do të zbatojmë çdo vendim

Vdekja e 17-vjeçarit në Sharrë, Bashkia e Tiranës: Do të zbatojmë çdo vendim
August 25
14:57 2016

Bashkia e Tiranës ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike për ngjarjen e pak javëve më parë në landfillin e Sharrës, ku humbi jetën 17-vjeçari Ardit Gjoklaj. Në një deklaratë për mediat, Veliaj akuzon Partinë Demokratike se shfrytëzon çdo situatë për kapital politik.

Në vijim të deklaratës, Bashkia shpreh gatishmërinë për të qenë në krah të organeve ligjzbatuese duke ofruar ndihmën për një hetim sa më të plotë. Ajo siguron se do të zbatohet çdo vendim, kërkesë apo rekomandim i organeve përkatëse.

“Teksa Bashkia vendos rregullat, çdo ofrues shërbimesh në qytet përgjigjet përpara ligjit për çdo shkelje të këtyre rregullave. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka qenë dhe vazhdon të jetë në krah të institucioneve ligjzbatuese, duke ofruar të gjithë ndihmën për një hetim të plotë të kësaj ngjarjeje e vënë përpara përgjegjësisë cilindo kontraktor që nuk ka respektuar këto rregulla.

Siç e kemi shprehur edhe në reagimet tona të mëparshme, në përfundim të hetimit, Bashkia e Tiranës do të zbatojë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse. Por, na vjen keq të shohim se si për çdo fatkeqësi, aksident apo çdo moment të pafat, është gjithmonë Partia Demokratike, një parti e fatkeqësive historike të këtij qyteti e vendi, që mundohet të shfrytëzojë çdo situatë për kapital politik. Qytetarët e dinë mirë se Tirana ka humbur boll nga kjo forcë politike, e cila e la në një gjendje katastrofike. Sot Partia Demokratike i përket të shkuarës së Tiranës tonë.”, citohet ndër të tjera në reagimin e Bashkisë së Tiranës. /Blitz.al/

Komento
Etiketimet
Shperndaje