Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Urdhri i Farmacistëve: Praktika profesionale, dalin datat e provimeve

Urdhri i Farmacistëve: Praktika profesionale, dalin datat e provimeve
September 30
09:36 2016

Farmacistët që kanë mbaruar arsimin e lartë dhe dëshirojnë të hyjnë në provimin e praktikës profesionale duhet të dorëzojnë dokumentacionet pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

Kandidatët që duan të hyjnë në provimin e shtetit sezonin e ardhshëm duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen në muajin tetor.

UFSH ka publikuar datat e provimit të praktikës, i cili do të zhvillohet në datat 11-15 tetor 2016. Ndërkohë, kandidatët që do të hyjnë në provim në nëntor duhet të regjistrohen pranë UFSH në datat 3-7 tetor 2016, ndërsa kandidatët e rinj që hyjnë për herë të parë në provim për t’u përgatitur për licencën e ushtrimit të profesionit duhet të regjistrohen në datat 17-18 tetor 2016.

Provimi i shtetit

Sipas Urdhrit të Farmacistëve, dokumentet që duhet të dorëzohen janë:  formular aplikimi; fotokopje e kartës së identitetit; fotokopje e noterizuar e diplomës universitare dhe listës së notave; fotokopje e noterizuar e suplementit të diplomës; dëshmi e pjesëmarrjes në praktikën profesionale; dëshmi e kursit të ndihmës së shpejtë (lëshuar nga Kryqi Kuq Shqiptar); raport mjekoligjor; dëshmi penaliteti; vërtetim nga prokuroria e rrethit qe nuk është në ndjekje penale; mandat-pagesa në llogari të AKP-së, si dhe dy fotografi 5×5.

Kandidatët duhet t’i paguajnë tarifat në varësi të herës që po hyjnë në provim.  Kandidatët që po hyjnë për herë të parë në provim duhet të paguajnë 10.000 lekë, për herë të dytë 12.500 lekë, për herë të tretë 15.000, për herë të katërt 17.500 dhe për herë të pestë 20.000.

Provimi i praktikës

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë njofton kandidatët për regjistrimet për provimin e aftësimit praktik. Duhet të dorëzohet dosja e dokumenteve deri në datë 10 tetor 2016, praktikantët që përsëritin provimin duhet të paraqesin përpara datës 10 tetor kërkesën, raportin mjeko-ligjor dhe mandatin e pagesës. Provimi i aftësimit praktik do të organizohet në ambientet e UFSH në datat 11-15 tetor.

Në foton bashkangjitur do të gjeni datat e provimeve, dokumentacionin dhe formularin e aplikimit./Blitz.al/

datat-e-provimeve formulari-i-aplikimit regjistrimi

 

Shperndaje