Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ultimatumi i Ministrisë të Drejtësisë, prokuroria nis hetimet për truallin në Gjirin e Lalzit

Ultimatumi i Ministrisë të Drejtësisë, prokuroria nis hetimet për truallin në Gjirin e Lalzit
September 22
15:44 2016

Nga Anduena Llabani

Dy ditë pas largimit të investitorit libanez nga vendi ynë, prokuroria kërkon sekuestrimin e pronës ku do të ndërtohej resorti turistik.

Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata vendosi sekuestron preventive për pasurinë nr. 152/9 dhe nr. 152/10, të cilën gjykata e Durrësit ia ka njohur shtetasit Pal Selçuni. Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime se shtetasi Selçuni e ka fituar pronësinë në bazë të akteve të falsifikuara.

Një ditë më parë ishte ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili urdhëroi hetimin administrativ lidhur me sqarimin e situatës së pronësisë mbi truallin në Gjirin e Lalzit, ku do të investonte shoqëria OMNIX.

Manjani ka urdhëruar mbledhjen e informacionit zyrtar nga arkiva e Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP). Informacion do t’i kërkohet edhe ZVRPP në Durrës.

Urdhri parashikon nisjen e inspektimit për sqarimin e legjitimitetit të vendimeve të Gjykatës së Durrësit.

Me anë të një deklarate, kompania ka sqaruar se tërhiqet nga çdo investim i mundshëm në Shqipëri pas sulmit që iu bë sipërmarrësit libanez më 10 shtator. Projekti për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit kishte një vlerë prej 450 milionë dollarësh. OMNIX Albania thekson se do të tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë.

Sipas prokurorisë, Pal Selçuni ka kërkuar në Gjykatën e Durrësit njohjen e pronësisë mbi këtë truall me parashkrim fitues. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet mbi përfitimin e të drejtës së pronësisë menjëherë pas plagosjes me mjete të forta të shtetasit Fadi Mitri, i cili, nga ana e tij, ka një kontratë qiraje me shtetin shqiptar për zhvillimin e pronës së njohur në emër të shtetasit Pal Selçuni. Prokuroria e Durrësit nisi këtë hetim menjëherë pasi Policia e Shtetit referoi në Prokurorinë e Tiranës materialin mbi kryerjen e veprës penale “Plagosje e lehtë me dashje”, në dëm të shtetasit Fadi Mitri. Nga materialet paraprake të referuara në Prokurorinë e Tiranës dyshohet se goditja ndaj biznesmenit Mitri është kryer për shkak të një sipërfaqeje toke, e cila i është dhënë në përdorim kompanisë së administruar prej tij, “OMNIX Albania” shpk. Po në këtë sipërfaqe ka pretendime mbi pronësinë familja e shtetasit Pal Selçuni, banues në Draç të Ishmit, në Durrës.

Për këtë arsye, Prokuroria e Durrësit ka nisur veprimet hetimore mbi regjimin e pronës në zonën e Draçit, në Ishëm të Durrësit, e cila dyshohet se ka shërbyer si shkak për goditjen e biznesmenit Fadi Mitri. Nga aktet e administruara rezulton se Pal Selçuni, në vitin 2011, ka pasur një konflikt fizik me disa shtetas të tjerë, në pronë kufitare për pronësinë mbi terrenin objekt shqyrtimi gjyqësor. Të dyja palët e përfshira në konflikt në atë kohë kanë bërë kallëzim. Prokuroria e Durrësit ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për shkak se “dëmet nuk kanë qenë të konsiderueshme për t’u klasifikuar si vepër penale, sipas nenit 150 te K. Penal, por palët mund të paraqesin padi civile për shpërblim dëmi”.

Po ashtu, rezulton se në vitin 2014, Pal Selçuni ka bërë një padi për pushtim toke kundër shtetasit libanezo-amerikan Fadi Mitri, administrator i kompanisë “OMNIX Albania”. Edhe në atë kohë, Prokuroria e Durrësit vendosi mosfillimin e procedimit penal, për shkak se “OMNIX Albania” shpk ka një kontratë qiraje me shtetin shqiptar për shfrytëzimin e kësaj sipërfaqeje toke.

Për të paktën këto dy raste, Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime të arsyeshme se, në procesin gjyqësor civil për njohjen e pronës, paditësi Pal Selçuni ka paraqitur dokumente të falsifikuara, duke pretenduar se e ka poseduar pronën pa shqetësim për një periudhë 20-vjeçare.

Në këtë gjykim kanë qenë si palë ndërgjyqëse Bashkia Durrës dhe Avokatura e Shtetit. Rezulton se në seancën përfundimtare kanë munguar Bashkia e Durrësit dhe Avokatura e Shtetit. Në këto kushte, ku palët e interesuara nuk kanë ngritur pretendime (për shkak të mungesës së tyre), Gjykata e Durrësit, me vendimin nr. 457, datë 25.03.2016 ka vendosur të njohë shtetasin Pal Selçunin si pronar të pronës, objekt shqyrtimi. Gjithashtu rezulton se kundër këtij vendimi nuk është bërë ankim nga palët ndërgjyqëse dhe vendimi ka marrë formë të prerë më datë 19.04.2016.

Në veprimet e mëtejshme hetimore, Prokuroria e Durrësit do të shqyrtojë arsyet e mungesës së palëve ndërgjyqëse dhe mungesën e ankimit mbi vendimin e njohjes së pronës në emër të shtetasit Selçuni./Blitz.al/

Komento
Shperndaje