Blitz

 Breaking News

U shkatërrua nga tërmeti, shembet me fadroma godina nr.15 në Qytet Studenti, arsyet pse nuk u përdor eksploziv

U shkatërrua nga tërmeti, shembet me fadroma godina nr.15 në Qytet Studenti, arsyet pse nuk u përdor eksploziv
December 08
13:00 2019

Ka nisur puna mesditën e sotme për shembjen e godinës nr.15 në Qytet Studenti. Kjo godinë u vlerësua si e pabanueshme nga ekspertët, pas tërmetit të 26 nëntorit që la pas pasoja katastrofike, kryesisht në Durrës dhe Tiranë.

Siç shihet dhe nga videot e publikuara nga “BalkanWeb”, shembja e godinës po bëhet me mjete të rënda, pra me fadroma, dhe jo me eksploziv. Fillimisht është menduar që prishja të bëhej me eksploziv në fakt, duke qeneë se një ditë më parë u panë në terren edhe ekspertët luftarakë të Forcave Xheniere.

Por duket se ndryshimi i planit ka të bëjë me shmangien e rrezikut që përdorimi i eksplozivit mund të sillte te ndërtesat që janë pranë, qoftë te shtëpitë e banimit, si dhe te konviktet e tjera, ku aktualisht ka studentë.

Godina nr.15 ka vite që e ka humbur funksionin e konviktit. Prej më shumë se 20 vitesh në të ishin vendosur familje të pastreha, të cilat i paguanin qira vjetore shtetit. Konkretisht në këtë godinë ishin strehuar 95 familje. Familjet janë nxjerrë forcërisht nga bashkia 2 ditë më parë, pas vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës dhe shpalljes të godinës si të pabanueshme. /Blitz.al/

 

Share