Blitz

 Breaking News

U nxor jashtë lokalit dhe u qëllua me një plumb në zemër, zbulohet autori i atentatit të 28-vjeçarit Tafçiu

U nxor jashtë lokalit dhe u qëllua me një plumb në zemër, zbulohet autori i atentatit të 28-vjeçarit Tafçiu
January 21
11:45 2020

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Astirit ku një i ri ka humbur jetën pasi u qëllua me armë nga një person me iniciale N.D.

Viktima Vilson Tafçiu (Noka) jetonte në zonën e Institutit, në Tiranë, dhe kishte ardhur në Astir për të varrosur gjyshen, që i kishte vdekur këto ditë.

Viktima ishte me origjinë nga Dibra, ndërsa kishte jetuar në Belgjikë dhe Francë, dhe ishte deportuar para ca kohësh nga autoritetet franceze, për shkak të së shkuarës së tij.

Mësohet se 28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe mbrëmjen e kaluar po konsumonte kafe në një lokal të njohur në zonën e Astirit me dy vajza kur u nxor jashtë dhe u ekzekutua.

Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, “BalkanWeb” shkruan se Tafçiu është qëlluar me një plumb në zemër nga një distancë e afërt dhe ka ndërruar jetë në vend.

Po kështu mësohet se është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes, me iniciale N.D. nga pamjet e kamerave të sigurisë. Nisur dhe nga e kaluara e viktimës, policia ka arritur të identifikojë autorin që thuhet se ishte i njohur i 28-vjeçarit, ndaj dhe ai ka dalë jashtë lokalit kur është thirrur.

Tafçiu rezulton se ka shkuar në Francë më 7 mars 2018 dhe vetëm një javë më pas, më 12 mars, është arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Autoritetet franceze e kanë dënuar me një vit burg, prej ku ka bërë 8 muaj paraburgim dhe më 6 nëntor 2018 është deportuar në Shqipëri.

Share