Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

(VIDEO) Rrëfimi tronditës i shqiptarit të dhunuar seksualisht gjatë Luftës së Kosovës

March 23
16:12 2016

Një shqiptar nga Kosova ka rrëfyer për radion “Europa e Lirë” se është dhunuar seksualisht gjatë Luftës së Kosovës. Qytetari “S” ka rrëfyer tmerret që ka provuar gjatë qëndrimit në lagjen “Bunari Hajratit” të Prishtinës. Ai tregon se gjatë rrugës për në qendrën e Prishtinës është kapur nga katër policë serbë që e kanë goditur teksa thoshin në gjuhën serbe: “E gjetëm një viktimë”.

Më pas, ai rrëfen se si e futën brenda një ndërtese, ku e zhveshën dhe e dhunuan. Për fat, sipas tij, ka qenë ardhja e një tjetër oficeri serb që u ka kërkuar të tjerëve të ndalnin dhunën duke u bërtitur në gjuhën serbe: “Zoti ju vraftë, ç’ka jeni duke bërë këtu?”.

Qytetari “S” tregon se të pranishme kanë qenë edhe dy femra, për të cilat nuk di gjë, si dhe një shqiptar që bashkëpunonte me policinë serbe.

“Ata ikën jashtë, unë u vesha dhe pasi dola nuk dija nga ecja, përfundova në një lagje afër spitalit të Prishtinës”, – tregon ai teksa risjell në kujtesë atë ditë.

Ai shpjegon se fakti që dinte serbisht e ndihmoi  të kuptonte ç’flisnin policët serbë, të cilët gjatë pengmarrjes, që zgjati rreth 40 minuta, e kërcënuan: “Do t’ju vrasim të gjithëve, do t’ju vrasim fëmijët, do t’ju presim të gjithëve në Prishtinë”.

Ai tregon se tmerrin e përjetuar ka arritur t’ia tregojë vetëm bashkëshortes së tij dhe më pas edhe institucioneve përkatëse.

“Unë pres nga institucionet të njoftojnë bashkësinë ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara që në Kosovë është bërë dhunë sistematike seksuale ndaj gjinisë femërore dhe mashkullore. Le të binden një herë e përgjithmonë edhe Kombet e Bashkuara se në Kosovë është kryer gjenocid i të gjitha formave”,- shprehet ai.

Qytetari i dhunuar apelon që të gjithë ata shqiptarë që kanë vuajtur të njëjtin tmerr lufte të reagojnë.

 

Etiketimet
Shperndaje